Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shërbimi Sekret rrit masat e sigurisë pas sulmit ndaj Trumpit

Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar se ka rritur masat e sigurisë për ish-presidentin amerikan, Donald Trump në nisje të Konventës së Partisë Republikane, pas sulmit ndaj tij në fundjavë.

Shefja e Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle, ka thënë se planifikimet për siguri për tubimin e madh që do të mbahet në Milluaki të Uiskonsinit janë “rishikuar dhe forcuar”, pas sulmit ndaj Trumpit të shtunën.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Shërbimi Sekret është përgjegjës për presidentin aktual amerikan dhe ish-presidentët amerikanë.

Ky trup është kritikuar pas incidentit të së shtunës, kur një sulmues ka gjuajtur në drejtim të Trumpit, gjatë një tubimi në Pensilvani.

Cheatle ka thënë se planet për masat e sigurisë për Konventën katërditore, e cila nis të hënën, do të jenë fleksibile dhe do të ndryshohen sipas nevojës, “për të gaantuar nivelin më të lartë të mbrojtjes për të pranishmit, vullnetarët dhe qytetin e Milluakit”.

“Shërbimi Sekret ka përgjegjësi të jashtëzakonshme për të mbrojtur liderët aktualë të demokracisë, dhe ata të mëparshmit”, ka thënë Cheatle.

“Është përgjegjësi që e konsideroj me shumë seriozitet dhe jam e përkushtuar”.

Sekretari amerikan për Siguri Kombëtare, Alejandro Mayorkas, është zotuar se do të bëhet hetim i thuktë për të kuptuar se si ka ndodhur sulmi.

“Një incident i tillë nuk mund të ndodhë”, ka thënë ai të hënën.

“Kur them se nuk mund të ndodhë, po flas për dështim”.

Cheatle ka thënë se Shërbimi Sekret do të punojë me të gjitha autoritetet “për të kuptuar çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur, dhe si mund të parandalojmë që të mos ndodhë më një incident i tillë”.

Ajo ka thënë se do të bashkëpunojë në hetimet që ka kërkuar presidenti amerikan, Joe Biden lidhur me këtë rast. /REL