Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti: Qeveria jonë OJQ-të i trajton si partnere

 
   

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar për shënimin e 25- vjetorit të organizatës joqeveritare “Balkan Sunflowers”. Kjo organizatë, ka punuar një çerek shekulli në Kosovë me qëllim ndikimin pozitiv në jetën shoqërore në vend, duke u angazhuar në nisma për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe duke kontribuar në arsim, shëndetësi, kulturë, qytetari, punësim dhe respekt për diversitetin.

Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se kryeministri vlerësoi përkushtimin e kësaj organizate teksa kujtoi dhe aktivitetet e saj ndër vite.

“Ja ku jemi sot këtu, për të festuar për këtë organizatë dhe angazhimin, suksesin dhe ndryshimin që ajo e ka sjellë. Siç ka thënë Aristoteli: “Ne jemi ajo që bëjmë në mënyrë të përsëritur. Prandaj, përsosmëria nuk është akt, por zakon.” Ky citim besoj që përmbledh përkushtimin e madh të këtij çerek shekulli të “Balkan Sunflowers”, u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës ka dëshmuar vazhdimisht që organizatat joqeveritare i trajton dhe konsideron si partnere, duke njohur dhe vlerësuar kontributin e tyre, e mbështetur ato përmes thirrjeve të hapura për projekte e aktivitete të ndryshme.

Në këtë drejtim, kryeministri theksoi se qendrat mësimore të “Balkan Sunflowers”, të licencuara nga MAShTI, janë përkrahur me fonde nga Ministria edhe për këtë vit në shumën prej 56 mijë eurove.

 “Kjo ndihmon edhe në prioritetet e Strategjive tona, në parandalimin e braktisjes së shkollës si dhe në parandalimin e martesave të hershme”, tha kryeministri.

Teksa e falënderoi organizatën për punën, angazhimin, rolin dhe kontributin ndër vite, kryeministri përfundoi fjalën e tij duke theksuar se përmes bashkëpunimit, mund të arrijmë objektivat tona për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë.