Një rast i rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Dubravë të Istogut, ku zyrtari policor Fatjon Hoti, e plagosi një të mitur. Viktima, i cili ka lidhje familjare me policin, dyshohet se u qëllua me armën zyrtare nga pakujdesia.
Teksa polici i dyshuar është dërguar në mbajtje, tezaku i tij, Getoar Kamberaj, rreth 16-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Nga Klinika Emergjente kanë bërë me dije se gjendja e tij shëndetësore është kritike pasi i njëjti është qëlluar në kokë dhe aktualisht ndodhet akoma në sallën e operacionit.
Rasti që dyshohet se ndodhi nga pakujdesia ka tronditur dy familjet.
Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës, njësinë rajonale të hetimeve dhe njësi të tjera po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në vendin ku ka ndodhur incidenti, në konsultim me Prokurorin e Shtetit.
Nga Inspektorati Policor kanë bërë me dije se polici i dyshuar u arrestua dhe u suspendua nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.
“Personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.” – njoftoi IPK.