Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA). Në këtë komisioni pati përplasje mes kryetares, Hykmete Bajrami dhe përfaqësuesve të AShNA-së. Bajrami deklaroi se drejtoresha e auditimit të këtij institucioni është larguar si shkak i drejtorit, Samir Bllacaku. Deputetja e LDK-së, po ashtu ka pretenduar se drejtori i navigacionit ajror ka marrë mëditje për doktoraturën e kryer jashtë vendit.
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami tha se opinioni i ZKA-së, është i kualifikuar për çka përmendi nënvlerësimin e pasurisë.
Bajrami: Opinioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit është i kualifikuar
“Opinioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit është i kualifikuar, baza për opinion të kualifikuar është që thesari në bazë të vendimeve gjyqësore ka ekzekutuar pagesa në vlerë totale prej 817 mijë e 603 eurove prej kategorive jo adekuate të shpenzimeve. Edhe gjithashtu çështje e cila ka ndikuar në opinionin e kualifikuar është edhe nënvlerësimi i pasurisë për 345 mijë euro si rezultat i mos regjistrimit në sistemin informativ të menaxhimit për financat e Kosovës, të pasurisë jo kapitale që ka qenë projekti ‘furnizimi, instalimi dhe funksionimi i menaxhimit të trafikut ajror’. Si rezultat i mos regjistrimit të këtij sistemi ka rezultuar që të kemi një vlerësim të pasurive në vlerë prej 345 mijë euro. ”, deklaroi ajo.
Deputetja e LDK-së kërkoi detaje për dy pagesa të cilat janë bërë përmes vendimeve gjyqësore.
Bajrami: Pagesa e parë është marrë nga investimet kapitale për shkak të ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore
“Janë dy pagesa, pagesa e parë e cila është më e madhe që është marrë nga investimet kapitale për shkak të ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore, është 793 mijë e 73 euro. Janë marrë nga kategoria e investimeve kapitale dhe janë paguar vendimet gjyqësore për kompensimin e pagave për stafin e kontrollorëve të trafikut ajror. Këtu do i bëjmë pyetje drejtorit i cili është prezent se si ka ardhur ky rast që 793 mijë të paguhen përmes vendimeve gjyqësore dhe nuk kanë qenë të parapara me kategorinë e pagave dhe të mëditjeve, duhet të na shpjegohet ky rast. Edhe gjithashtu është pagesa tjetër prej 24 mijë e 530 euro që është realizuar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. A është keq planifikim i AShNA-së për kategorinë apo si ka ndodhur që një shumë kaq e madhe të ekzekutohet përmes vendimeve gjyqësore”, ka pyetur Bajrami.
Drejtori i navigacionit, Samir Bllacaku tha se ka pasur disa raste ku kanë bërë pagesa përmbarimore, me theks të veçantë të shpronësimeve të tokave të cilat i ka trashëguar AShNA nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Bllacaku: Thesari ka marrë vendim për të bërë tërheqjen e parave nga kategoria e kapitaleve
“Po filloj nga gjetja e parë ku është bërë një pagesë prej 817 mijë euro nga kategoria kapitale për paga dhe mëditje. Ky është një rast që ka filluar në vitin 2011, është bërë një ankesë për mos pagesën e vikendeve për kontrollorët e trafikut ajror. Kjo ka zgjat për 13 vjet, i kemi tri vendime gjyqësore, Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe në fund e kemi zmbrapsur deri në Gjykatën Supreme. Vendimi final ka ardhur prej Gjykatës Supreme edhe na ka ardhur një vendim përmbarimor prej Thesarit që brenda dy dite të caktojmë një kategori ku mundemi të bëjmë këtë pagesë. Ju kemi drejtuar Thesarit që pasi është kategoria e pagave dhe mëditjeve nuk kemi mundësi se i kemi pagat e aprovuara me buxhet dhe i kemi treguar që në qoftë se doni me marrë se AShNA është në proces të investimeve dhe çdo ngacmim në investime kapitale mund të dëmtojë në të ardhmen e AShNA-së dhe në sigurinë e trafikut ajror. Thesari pas dy ditëve ka marrë vendim dhe ka bërë tërheqjen e parave nga kategoria e kapitaleve”, u përgjigj ai.
Bllacaku tha se nuk e pranojnë të gjeturën e katërt të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Bllacaku: Kjo është bërë kryekëput që të pasqyrohet që drejtoresha e njësisë së auditimit është larguar nga puna
“Kjo është bërë kryekëput vetëm që të pasqyrohet që drejtoresha e njësisë së auditimit është larguar nga puna. Ju mund ta shihni edhe në komentet që janë kthyer që vetëm është si informatë. ZKA nuk ish dashur të bie në atë nivel që të plasojë informata se ky është raport zyrtar edhe ne besojmë që kjo nuk ka të bëjë asgjë me rastin, as largimi i saj nuk është bërë për këtë çështje. Është larguar nga komisioni disiplinor… janë vendimet e komisionit disiplinor”, theksoi ai.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, i cili kërkoi që Bllacaku të ketë kujdes me gjykimet ndaj të gjeturave e ZKA-së.
Korenica: Duhet të keni kujdes kur gjykoni të gjeturat e ZKA-së
“Ju jeni ekspert financiar, e keni kryer shkollën për auditim apo keni kryer një tjetër profesion dhe merreni me diçka tjetër. Kur plasoni akuza ndaj ZKA-s duhet së paku të jeni në nivel të tyre ose të keni argumente të plota të mbështetura për të refuzuar një të gjetur të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Nuk është e lehtë për të thënë ‘unë nuk po pajtohem me një të gjetur të ZKA-s’, sepse është e gjetur e tyre. Duhet të keni kujdes kur e marrim ta gjykojmë një rast për të cilin, ne, ju apo kushdo tjetër nuk jemi në të njëjtin nivel për të klasifikuar një të gjetur të caktuar si rast në raportin me të cilin sot ne po ballafaqohemi”, ka reaguar Korenica.
Bajrami shtoi se drejtoresha e auditimit të brendshëm është larguar sepse nuk është lënë që të auditojë sistemin e trajtimit.
Bajrami: Zotëria këtu ka qëndruar në Zvicër për doktoraturë dhe ka marrë mëditje
“Zotëria që e kemi përballë ka kryer doktoraturë në kuadër të atij sistemi, të cilin ka bërë 59 ditë jashtë shtetit në Sangall të Zvicrës, ka marrë doktoraturë. Ky për ditët sa ka qëndruar atje ka marrë mëditje dhe ju kanë paguar shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzimet e qëndrimit. Janë 12 module që zotëria i ka kryer. A po e kuptoni pse edhe ky atë doktoraturë ia ka aprovuar vetës, ekzistojë dokumente sepse drejtoresha e larguar e auditimit ka dalë tash edhe po fol nëpër media edhe i ka dokumentacionet. Zotëria vetës ja ka aprovuar doktoraturën në 2023. Ti nuk e ke lënë këtë sistemin që të auditohet prej njësisë së auditimit të brendshëm, ty të ka penguar auditorja e brendshme. A dini çka edhe diçka tjetër? Në datën kur Prokuroria Speciale e merr rastin për projektin prej 5,5 milionë euro, auditores së brendshme i ngritet komisioni i dytë disiplinor. Edhe a e dini se cila është arsyeja e komisionit disiplinor që e largon, i thotë ‘ke komunikuar me njësinë qendrore harmonizuese’ në kuadër të Ministrisë së Financave e cila është njësi që e bën harmonizimin dhe mbikëqyrjen e gjithë njësive të auditimit në mbarë Republikën e Kosovës”, ka shtuar Bajrami.
Me këto nuk është pajtuar drejtori i navigacionit ajror, i cili tha se këto informata nuk janë të vërteta.
Bajrami-Bllacakut: Ke marrë mëditje, ke shkuar për doktoraturë
Bllacaku: Doktoratura që e kam kryer unë e ka pasur vlerën 22 mijë dollar. A e dini sa ka paguar AShNA për mua, zero. Sa i përket qëndrimit tim 59 ditë në Zvicër, nuk është absolutisht e vërtetë sepse nëse i shikoni modulet kanë qenë module hibride. Unë jam ai person që modulet i kam kaluar ka zyrja, e kam kryer modulin në Prishtinë. A po më len tash me fol.
Bajrami: Nëse kanë qenë hibride, a po më tregon sa ditë ke qëndruar?
Bllacaku: Në janar kam qëndruar shtatë ditë, komplet kanë qenë të mbuluara, se ka qenë donacion, zero, për nivelin e lartë.
Bajrami: Nuk ke marrë mëditje prej AShNA-s, se dalin këto të dhëna, kanë me dal?
Bllacaku: Mëditje kom marrë…
Bajrami: Ke marrë mëditje, je shkuar për tu shkolluar për të bërë doktoraturë edhe ke marrë mëditje?
Bllacaku: Qe po e tërhjeki nuk është doktoraturë, është një trajnim”, kanë thënë ata.
Pas replikave mes Bajramit e përfaqësuesve të AShNA-s, ka reaguar deputeti i LVV-së, Halil Thaçi.
Thaçi: E paske personale me ta, nuk po mundesh me fsheh hiç
“Është dashur të na tregosh që e ke personale me ta, të paktën unë nuk kisha marrë pjesë . Shumë personale e ki. E paske personale edhe s’po mundesh me fsheh hiç, nuk po i njoh këta personat, absolut nuk i kam parë asnjëherë”, tha ai.
Përplasjet mes opozitës dhe pozitës kanë vazhduar, kur deputetja e pushtetit Mirlinda Tishukaj Sadiku përmendi deklaratën e kryetares Hykmete Bajrami se pozita janë “hajna”.