Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Vrasja e policit serb, Ramadani: Serbia po bën propagandë kundër shtetit të Kosovës

 
   

Serbia po tenton ta shfrytëzojë vrasjen e policit serb për propagandë kundër shtetit të Kosovës dhe njëkohësisht t’iu hakmerret qytetarëve kosovarë.

Kështu thotë për KosovaPress ish-kryeinspektorit të AKI-së, Burim Ramadani, duke komentuar vrasjen e policit serb dje në Loznicë të Serbisë.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se lidhur me rastin ka arrestuar dy të dyshuar që kanë transportuar autorin e vrasjes dhe se në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga institucionet e Kosovës në emër të Artan Hajrizit – vëllait të Faton Hajrizit, i arratisur nga burgu i Smrekovnicës.

Ish-kryeinspektorit të AKI-së thotë se autoritetet në Beograd po përpiqen ta shfrytëzojnë si propagandë kundër Kosovës dhe të maltretojnë qytetarët e saj që kalojnë drejt perëndimit. Ramadani thotë se vrasja e policit serb nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën.

“Prej asaj që dihet deri më tani duket që kemi të bëjmë me një akt kriminal, në të cilin institucionet e Kosovës dhe shteti i Kosovës në raporte bilaterale nuk ka përgjegjësi. Raste të tilla pavarësisht se janë të rënda për familjen e policit të vrarë në Serbi. Absolutisht nuk kanë të bëjë me ndonjë përgjegjësi për shtetin e Kosovës dhe si të tilla ka pasur raste gjithkund nëpër botë të rasteve kriminale”, tha ai.

Ramadani thotë se Serbia po tenton ta politizojë vrasjen e policit serb si akt kriminal.

“Serbia dukshëm që në minutat e parë ka tentuar që ta politizojë këtë akt kriminal, përse është jashtëzakonisht e nevojshme që Kosova ta sqarojë para partnerëve ndërkombëtarë që informatat e deritashme janë që ka të bëjë me akt kriminal jo të organizuar, të shtyrë, të nxitur nga shteti i Kosovës apo nga motive të tjera politike. Thjesht është një rast në të cilin Serbia tenton ta shfrytëzojë ta ndërtojë një propagandë kundër shtetit të Kosovës dhe njëkohësisht mund edhe të tentojë që t’i hakmerret qytetarëve të Kosovës duke, i maltretuar ata nëpër rrugët e Serbisë, sidomos mërgimtarët, të cilët vijnë në Kosovë dhe shfrytëzojnë rrugët e Serbisë, prandaj është e vlefshme thirrja që mërgimtarët e Kosovës, të shmangin domosdo rrugën nëpër Serbi. Jo vetëm sot por edhe ditët e ardhshme”, tha Ramadani.

Ai thotë se aktet kriminale duhet të ndëshkohen pasi si të tilla ato janë të papranueshme dhe nuk mund të bëhet përgjegjës një shtet i tërë.

“Është tepër e qartë se në secilën rast të akteve kriminale do të gjykohet sikurse një akt kriminal që ndodh edhe në vende të tjera dhe në të njëjtën kohë nuk ka përgjegjësi, e cila mund t’i faturohet një shteti apo një populli të tërë. Ne jemi dëshmitarë që akte të tilla kriminale duhet të ndëshkohen nga forca e drejtësisë, e ligjit dhe të njëjtën kohë që të deklarohet dhe të qartësohet se janë të papranueshme dhe si të tilla nuk janë të tolerueshme”, ka thënë ai.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se organet e sigurisë janë duke grumbulluar informacionet për rastin. Po ashtu, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka kërkuar mërgimtarëve ta shmangin lëvizjen nëpër Serbi