Izmir Zeqiri, kryetari i komunës së Zubin Potokut, ka reaguar pas shpërthimit te Liqeni i Ujmanit, ku u dëmtuan dy vetura, njëra me targa të Kosovës dhe tjera me targa amerikane.
“I dënoj fuqishëm aktorët e shpërthimit që ndodhi sot rreth orës 14:30 min. Dhe si pasoj pati dëmtime të dy veturave të qytetarëve që po pushonin dhe freskoheshin në Liqenin e Ujmanit”.
“Uroj që së shpejti të kapen aktorët e këtij shpërthimi dhe të sillen para organeve të drejtësisë. Gjithashtu besoj që nuk ka vend për panik përderisa gjendja është nën kontrollin e plotë të organeve të rendit të Policisë së Republikës së Kosovës”.
Ndryshe, Liqeni i Ujmanit konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë shtatë komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.
Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.
Lumi Ibër, që e mbush me ujë Ujmanin, buron në Mal të Zi, më pas kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi të shtratit prej 82 km, dhe prapë kthehet në Serbi.