Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është në qendër të planit të zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, i cili i është dorëzuar Kosovës së fundmi nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Megjithëse, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi konfirmoi se kanë dërguar shtatë faqe komente për këtë plan, deputetja e mazhorancës është pesimiste se do të ketë progres në këtë drejtim, për shkak siç thotë qasjes dekonstruktive të Serbisë dhe mosnënshtrimit të marrëveshjes.
Kryeziu-Hyseni, e cila është edhe kryetare e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme dhe diasporë, thotë për KosovaPress, se Asociacioni s’do të jetë elementi kyç i zbatimit të planit të marrëveshjes, mirëpo në dokument duhet trajtuar të gjitha pikat radhazi për të mbërritur te pika e shtatë ku flitet për vetëmenaxhim.
Kryeziu-Hyseni: Asociacioni s’është në qendër të planit të sekuencimit të marrëveshjes
“Nëse do të ishte Asociacioni qendra e dokumenteve deri më tani do të kishim dërguar draftin, do të kishim marrë opinionin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të kishte filluar implementimi i Asociacionit. Krejt arsyeja pse jemi në një situatë të tillë është se Kosova s’pranon që Asociacioni të vendoset në qendër të cilido diskutim që lidhet me procesin e dialogut, pasi nuk është Asociacioni qendra. Dokumenti kryesor është marrëveshja bazike dhe ne duhet t’i përmbahemi kësaj duke trajtuar të gjitha pikat radhazi që janë pjesë e këtij dokumenti për të mbërritur aty ku quhet vetëmenaxhim. Mirëpo ne nuk do të nxjerrim Asociacionin në qendër të cilido diskutim, pasi sikur të kishim bërë këtë gjë Asociacioni tashmë do të ishte harruar dhe dialogu do të kishte marrë fund”, thekson ajo.
Sipas saj, progres në dialog do të ketë vetëm kur Serbia të nënshkruajë marrëveshjen dhe të tërheq letrën e ish-kryeministres, Ana Bërnabiq që i kishte dërguar BE-së, ku thuhet se Serbia zbaton marrëveshjen vetëm pjesërisht.
Kryeziu-Hyseni: Progresi në dialog vetëm kur Serbia të nënshkruajë marrëveshjen
“Mund të ketë progres nëse Serbia e tërheq letrën e Bërnabiqit që është dërguar në vitin e kaluar dhe të thotë se është pjesë e dialogut. Ne nuk e kemi të qartë nëse Serbia është apo jo pjesë e dialogut. Ata praktikisht kanë hequr dorë nga dialogu përmes letrës së ish kryeministres. Mund të kishte progres nëse do të kishte qasje pak më konstruktive të Serbisë në këtë drejtim. Nëse ata do të quanin vetën pjesë të dialogut e para gjë që do të bënin është të pranojnë marrëveshjen bazike dhe të njëjtën kohë të nënshkruanin për të kaluar te plani i sekuencimit. Nuk e di tash si do të mund të kalojmë te plani i sekuencimit kur po flasim për një shtet që është palë në dialog, por nuk e pranon dialogun dhe marrëveshjen bazike dhe kundërshton gjithçka që derivon prej këtyre dy dokumenteve shumë të rëndësishme. Nëse marrëveshja bazike nuk pranohet nuk e di si mund të kalohet te plani i veprimit ose si të përcaktohen hapat e sekuencimit tani e tutje”, shton deputetja e mazhorancës.
Deputetja Kryeziu-Hyseni kërkon nga Bashkimi Evropian që të ketë një pozicion të qartë sa i përket refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Kryeziu-Hyseni: BE-ja të ketë pozicion sa i përket qasjes së Serbisë në dialog
“Është mirë që kjo të qartësohet prej vet Bashkimit Evropian në mënyrë që të kemi një pasqyrë më të qartë sesi do të rrjedhë procesi i dialogut tani e tutje. Natyrisht se do të ketë takime në nivel të kryenegociatorëve sepse ideja është që të shtyhet procesi përpara dhe të lëvizë. Ka një kohë që ka mbetur në gjendje të palakueshme sidomos për neve si një shtet demokratik që synojnë t’i bashkohemi strukturave euro-atlantike. Megjithatë ne po bëjmë përpjekje që të japim krejt forcën tonë, konstruktivtetin tonë në mënyrë që të nxjerrim rezultate konkrete, por nuk e di sa mund të ketë mundësi përderisa pjesë e dialogut është një palë që bllokon gjithçka. Prandaj duhet të qartësohet pozicioni i Serbisë dhe pozicioni i Bashkimit Evropian karshi palëve në mënyrë që të dihet si të ecim tutje”, deklaron ajo.
Duke folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, ajo është optimiste se kjo temë do të rikthehet në agjendë në takimin e radhës të Ministrave të Punëve të Jashtme të KiE-së.
Kryeziu-Hyseni: Anëtarësimi i Kosovës në KiE do të rikthehet në agjendë në takimin e radhës të ministrave
“Nuk mendoj se Kosova ka dështuar (për anëtarësim në Këshill të Evropës). Besoj se i kemi plotësuar të gjitha kriteret që kanë qenë të kërkuara prej vet Këshillit të Evropës në mënyrë që ne të bëhemi anëtarë të KiE-së. Kriteri i fundit ka ardh krejt në momentet e fundit dhe ka qenë e padrejtë një veprim i tillë që është karshi neve pasi s’përkon fare as me raportin që është bërë prej Këshillit të Evropës dhe diskutime të tjera që kanë qenë në nivel të brendshëm të KiE-së. Ky veprim është bërë qëllimshëm në mënyrë që Kosova të mbahet jashtë pasi ne nuk po pranojmë që të dërgojmë një draft të hartuar nga Lajçak për opinion në Gjykatën Kushtetuese. Dua të besoj shumë se çështja e Kosovës do të rikthehet në takimin e Këshillit të Ministrave dhe ata do të votojnë pro, pasi ata tashmë e kanë një rekomandim të Asamblesë Parlamentare që kanë votuar pro anëtarësimit të Kosovës”, thekson Kryeziu-Hyseni.
Krahas këtyre, Kryeziu-Hyseni konsideron të domosdoshme largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.