Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se gurthemeli për ndërtimin e katër objekteve banesore për banim social dhe të përballueshëm do të vihet në vjeshtë.
Pas miratimit të Projektligjit për banim social dhe të përballueshëm, ministri Aliu tha se deri tani kanë aplikuar 13 komuna për identifikimin e lokacionit për ndërtimin e objekteve banesore, ku në katër sosh do të hapet tenderi në shtator, kurse në nëntë komuna të tjera janë ende në fazën e dizajnimit të projektit.
Duke arsyetuar realizimin e këtij projekti në fundin e mandatit të qeverisë, Aliu tha se s’kanë mundur të hyjnë në fazën e realizimit të projektit pa pasur studime dhe fazë përgatitore.
Aliu: Gurthemeli për ndërtimin e banesave do të fillojë në vjeshtë
“Nga komunat ekzistuese që kanë aplikuar kemi shqyrtuar të gjitha lokacionet, kemi krijuar një ekip të ekspertëve që kanë dal në vend të ngjarjes, kanë shqyrtuar të dhënat e lokacionit, kushtet urbanistike, si është qasja në infrastrukturë, si është qasja në raport me zhvillimet urbane të atyre komunave. Jemi në fazën e fillimit të projekteve, detaje për zhvillimin e këtyre ndërtimeve. Sa po të përfundohet projekti do të hapet tenderi për fillimin e ndërtimit të ndërtesave të banimit social dhe të përballueshëm…S’kemi mundur të hyjmë në fazën e realizimit të projektit pa i bërë fazat paraprake siç është studimi i fizibilitetit që e kemi realizuar. Po të ishte gjithçka gati natyrisht se mund të bëhej brenda një mandati, por puna përgatitore ka marrë kohë”, tha ai.
Aliu në konferencë për medie tha se banesat për banim social do të mbeten në pronësi të shtetit dhe do të menaxhohen nga komunat, kurse te banimi i përballueshëm mund të aplikojnë çiftet e reja dhe punëtorët e administratës nga komunat përkatëse.
Aliu: Për banim të përballueshëm mund të aplikojnë çiftet e reja
“Banimin social do ta menaxhojnë komunat ashtu siç thash, ndërsa pjesën e banimit të përballueshëm do të aplikojnë çiftet e reja, punëtorët e administratës nga komunat përkatëse. Do të përzgjidhen dhe pastaj në pagesa të rregullta në periudha kohore mund të bëhen pronar të këtyre banesave”, shtoi Aliu.
Në konferencë për medie ishte edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për furnizimin me libra për vitin e ri shkollor.
Nagavci: Janë bërë përgatitjet e nevojshme për furnizim me libra për vitin e ri shkollor
“Zyrtarët, kolegët në ministri kanë filluar punën në këtë drejtim. Janë finalizuar lisat me tekstet e miratuara dhe janë ndarë të njëjtat me drejtoritë komunale të arsimit. Është kërkuar nga drejtoritë komunale që katalogu të ndahet me shkollat dhe të zgjedhën për miratim listat e teksteve që të propozohen për përdorim në shkollë. Të njëjtat janë dorëzuar në ministri të Arsimit dhe tashmë janë pranuar edhe prej shtëpive botuese të dhënat e para në lidhje me negocimin e çmimeve dhe procesin deri te finalizimi i teksteve”, tha ajo.