Duke bërë thirrje ndaj prindërve në komunat veriore që t’i kenë në kontroll fëmijët e tyre, eprorë të Policisë në atë zonë, një ditë më parë, lanë të kuptohet diçka.
Atë që djegiet e veturave, dukuria më e shpeshtë në zonën veriore të vendit, së fundmi po bëhen nga persona të mitur.
I fundit ishte rasti që ndodhi këtë të premte ku të shkatërruara mbetën dy vetura të komunës së Zveçanit.
Sipas njohësit të sigurisë, Arben Dashevci ky dyshim ka bazë.
“Duke u bazuar në faktin se në Republikën e Kosovës qarqet destruktive ose qarqet kriminale me ata çka ka ndodhë me 24 shtator i është ngushtuar rrethi në mënyrë maksimale atëherë në aspektin e sigurisë edhe kjo teori mund të vlejë duke u bazu se në ngjitjen e stikersave në veri janë kapur disa të mitur”, ka thënë Arben Dashevci.
E, njohësi tjetër i sigurisë Jeton Halimi thotë se dikush po qëndron pas këtyre veprimeve.
Sipas tij, ata kanë qëllim njollosjen e shtetit të Kosovës.
“Mendoj qe atyre iu rrinë mbrapa strukturat paralele, i kanë riorganizu edhe nuk zgjedhin forma apo njerëz për të arrirë tek qëllimi i tyre për t’i shkaktuar Kosovës dëm sa më shumë si arenën e jashtme dhe te brendshme”, ka thënë Jeton Halimi.
Në këtë muaj edhe me datën nëntë, dy kamionë të një biznesi u dogjën nga zjarri i shkaktuar prej dorës së njeriut.
Për asnjërin nga këto raste akoma nuk ka persona të arrestuar.