Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Apeli ia zbut dënimin të akuzuarit për shtytje në terrorizëm

 
   

Gjykata Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Liridon Beqiri ishte dënuar me 2 vite burgim për shtytje në kryerje të veprave terroriste dhe 3 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje. Për shtytje në terrorizëm, Apeli e dënoi Beqirin me një vit burgim, kurse për armëmbajtje pa leje ia vërtetoi dënimin.

Ndaj aktgjykimit të Themelores, i cili ishte marrë më 7 mars 2024, ankesë sa i përket lartësisë së dënimit ka parashtruar mbrojtësi i Beqirit, avokati Veton Rrecaj, duke propozuar që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet dënim më i ulët, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Lidhur me këtë ankesë, Prokuroria e Apelit me shkrim ka propozuar që vendimi ndaj Beqirit të vërtetohet, ndërkaq ankesa e avokatit Rrecaj të refuzohet si e pabazuar.

Sipas Gjykatës së Apelit, vendimi i Themelores lidhur me lartësinë e dënimit është i ashpër, duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese se i akuzuari ka shprehur keqardhje ose pendim të sinqertë dhe se është baba i dy fëmijëve.

“Kolegji vlerëson se dënimi me burgim për të akuzuarin i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë në rrethanat e çështjes rezulton se është dënim i ashpër, duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese se i akuzuari ka shprehur keqardhje dhe pendim të sinqertë dhe real për veprimet e kryera, ka pranuar fajësinë dhe është thellë i penduar, rrethanat e tij personale dhe familjare, se është baba i dy fëmijëve të vegjël…”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Duke pasur parasysh këto rrethana, shkalla e dytë ka zbutur dënimin ndaj Beqirit nga dy vite në një vit burgim, pasi ka konsideruar se me këtë lartësi të dënimit do të arrihet qëllimi i dënimit.

Gjithnjë sipas Apelit, dënimi prej një viti burgim, është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të kryerjes së veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale, rrethanat që do t’i shërbejë preventivës gjenerale dhe individuale.

Në fund, sipas këtij vendimi thuhet se dënimi prej një vitit burgim është i mjaftueshëm për t’u arritur qëllimi i dënimit.

Në dënimin me burgim, Beqirit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak dhe atë prej datës 15 maj 2023 e deri më 7 mars 2024.

Ndryshe, në këtë rast akuzohen edhe Besart Veselaj, Ernes Beqiri, Argiend Hoti dhe Altin Salihu, të cilët janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 4 mars 2024.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 janar 2024, thuhet se të akuzuarit Liridon Beqiri, Besart Veselaj, Ernes Beqiri, Argjend Hoti dhe Altin Salihu, nga periudha e panjohur kohore e në vazhdimësi në bashkëkryerje, kanë shpërndarë dhe mundësuar përcjelljen e mesazheve te personat tjerë në kryerjen e akteve terroriste.

Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprave terroriste” nga neni 134 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të akuzuarit Liridon Beqiri dhe Besart Veselaj prej datës të pavërtetuar e në vazhdimësi, kanë mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar armët në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm.

Me këtë, të akuzuarit secili veç e veç sipas aktakuzës kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.