Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Caktimi i datës së zgjedhjeve parlamentare, Osmani takon gjatë kësaj jave liderët e partive politike

 
   

Gjatë kësaj jave pritet të mbahet takimi ndërmjet presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe liderëve të partive politike, ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.

Takimi pritet të mbahet më 31 korrik, në orën 14:00, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa subjektet politike tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Burime nga Presidenca kanë bërë të ditur se në letrën dërguar liderëve të partive, Osmani ka deklaruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.

Lidhur me ftesën e presidentes Osmani, një reagim e ka bërë edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Cakolli thotë se zgjedhjet e rregullta parlamentare mund të mbahen në periudhën, nga fundi i janarit deri në mes të shkurtit të vitit 2025.

“Datat e vetme të zgjedhjeve të rregullta që Presidentja mund t’i diskutojë me partitë politike në takimin e së mërkurës, janë 26 janari, 2, 9 apo 16 shkurti. Presidentja ka kohë më së voni deri në mes të nëntorit, për ta caktuar ndonjërën prej këtyre datave”, kishte pohuar ai.

Ndryshe, në maj të këtij viti, Partia Demokratike e Kosovës ishte e pajtimit që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, por jo edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

LDK-ja e AAK-ja dëshironin fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK.