Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes llogarisë së tij zyrtare ka njoftuar bashkatdhetarët tanë që po vijnë në Kosovë për pushime dhe ata që duan të kthehen në vendlindje, se përveç dyerve të hapura, nga muaji korrik është hapur edhe Dritarja për Investime të Diasporës.
Kurti tha se përmes saj do të garantohen huatë e bizneseve me pronarë nga mërgata që duan të investojnë në Kosovë.
“Ajo është zgjidhja ndaj vështirësive që mërgata jonë ndërmarrëse ka pasur deri më tani në qasjen në financim në bankat e vendeve ku ata jetojnë, por edhe në bankat tona në mungesë të historikut kreditor”, shkruan Kurti.
Kryeministri njoftoi se Dritarja për Investime të Diasporës u mundëson atyre të aplikojnë për kredi deri në tre milionë euro nëpër bankat e Kosovës, dhe pjesëmarrja e tyre me kapital duhet të jetë së paku 20%.