Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka bërë një reagim lidhur me mos ekzekutimin e pagave për muajin qershor për minatorët e e Trepçës.
Tahiri në reagimin e tij drejtuar pushtetit thotë se mjaft kanë shëtitur në Paris, dhe se tani duhet të merren me minatorët që janë pa rroga.
“U shëtitët boll, edhe foto e video bëtë në Paris, tash a po merreni me minatorët e Trepçës që janë pa rroga, me bllokadat e rrugëve gjithandej Kosovës, me pensionistët që po presin pas katër vjet qeverie me ua rritë pensionet me dëmet ekonomike e me bllokadën ndërkombëtare”, ka pohuar ai në shkrimin e bërë në Facebook.
Tutje, ai ka shtuar “punoni najsen të hajrit, e jo veç me kontrata njëburimore e korruptive! Se di për besë çka do të folni në fushatë”.
Ndryshe, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës përmes një reagimi publik ka bërë të ditur se minatorët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor.
Në reagimin e tyre thuhet se qeveria nuk ka aspak interesim për fatin e minierës dhe minatorëve.
“Tani që ndodhemi në fundin e muajit Korrik, minatorët ende nuk i kanë marrë as pagën e muajit qershor. Interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga qeveria, ministria dhe bordi i ndërmarrjes janë në nivelin zero. Vullneti i tyre për prosperitetin e kësaj ndërmarrje dhe premtimi për ditë të mira në ndërmarrjen Trepça SH.A., janë vetëm fjalë boshe dhe asgjë tjetër”, thuhet në reagim.