Sot mbahet seanca gjyqësore ku pritet vendimi lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu në Podujevë.
Muaj më parë Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj dy të miturve për vrasjen e 18 vjeçarit nga Podujeva.
Dy të pandehurit janë dënuar me 19 vite burgim së bashku, ku njëri prej tyre është dënuar me 10 vjet kurse tjetri me 9.
Por, Gjykata e Apelit kishte kthyer për rigjykim çështjen e vrasjes së 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu në Podujevë.
Më 20 janar 2024, 18-vjeçari, L.F., kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje e rëndë”. Përleshja mes viktimës dhe dy të miturve kishte ndodhur më 15 janar.
Sipas Prokurorisë, dy të miturit e kishin goditur 18-vjeçarin me shkop, duke shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 25 mars 2024 kishte përpiluar propozimin për shqiptimin e dënimit me burgim për të mitur, ndaj dy të miturve për veprën penale “Vrasje rëndë” nga neni 173, par.1, pika.1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.