Lëvizja Vetëvendosje preferon që zgjedhjet e rregullta parlamentare të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Në partinë në pushtet thonë se opozita s’mundet më t’i shtyjë pambarimisht zgjedhjet, andaj në takimin e sotëm të presidentes Vjosa Osmani me përfaqësuesit e partive politike duhet të caktohet data e zgjedhjeve mes vjeshtës dhe fillimit të vitit të ardhshëm.
Lëvizja Vetëvendosje preferon që zgjedhjet e rregullta parlamentare të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Në partinë në pushtet thonë se opozita s’mundet më t’i shtyjë pambarimisht zgjedhjet, andaj në takimin e sotëm të presidentes Vjosa Osmani me përfaqësuesit e partive politike duhet të caktohet data e zgjedhjeve mes vjeshtës dhe fillimit të vitit të ardhshëm.
Deputeti i LVV-së, Armend Muja në një intervistë për KosovaPress thotë se Bashkimi Evropian duhet të marrë shumë seriozisht refuzimin e Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, që sipas tij u dëshmua edhe me deklarimin e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq. Duke folur për presionin ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit, ai thekson se Kosova do t’i zbatojë obligimet e veta, por gjithmonë në përputhje me Kushtetutën e vendit si dhe kur ka një plan objektiv të sekuencimit të marrëveshjes. Ndërkaq, flet edhe për mundësitë e rritjes së pagave në sektorin publik para zgjedhjeve të reja parlamentare.
Muja: Zgjedhjet i preferojmë në vjeshtë, opozita s’mundet t’i shtyjë pambarimisht
“Opozita nuk mundet t’i shtyjë zgjedhjet pambarimisht, ato duhet të mbahen në afatin e rregullt. Çdo herë kur ka dakordim, gjashtë muaj para afatit të zgjedhjeve të rregullta, presidentja e vendit me dakordim të gjithë subjekteve politike mund të caktojë një datë të zgjedhjeve. Mund të jetë kushtimisht nga vjeshta e vonshme deri në mes të shkurtit. Ky është afati që duhet të organizohen zgjedhjet, por i takon presidentes që të gjejë këtë konsensus”, thekson Muja.
Sipas tij është e nevojshme tërheqja e letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, të cilën e ka dërguar në BE, ku theksohet se Serbia s’do të zbatojë pjesë të marrëveshjes së Brukselit.
Ai thotë se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak duhet të sjell një plan objektiv të sekuencimit të marrëveshjes.
Muja: Refuzimi i marrëveshjes së Brukselit nga Serbia është shumë serioz
“Duhet të nënvizoj që me 14 dhjetor të vitit 2023, ish kryeministrja serbe Ana Bërnabiq i ka shkruar ndërmjetësit që dy pika të marrëveshjes, nenin 2 dhe nenin 4, ato përfitimet më të mëdha të Kosovës se nuk i zbatojnë dhe tërhiqet. Këtë e ka ripërsëritur edhe kryeministri i ri serb javën e kaluar. Prandaj kjo është shumë serioze. Ne kemi theksuar se duhet të definohet saktë se a ka marrëveshje apo jo. Brenda vendit por edhe jashtë neve na është thënë po leje, jo, jo ne e njohim Serbinë më mirë sesa çdo diplomat që vjen këtu pasi e kemi bartë në lëkurën tonë. Vështirësitë me ta në procesin e dialogu ne i kemi pas. Prandaj ne kemi insistuar që duhet të ketë një proces formal të verifikuar të pranimit të marrëveshjes, kjo e cila nuk është bërë. Këtë e tha edhe kryeministri serb, madje kërkoi edhe të transkriptohet që ne nuk e kemi pranuar atë plan”, shton Muja.
Sa i përket kërkesës të Komisionerit Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, që të dërgohet draft-statuti i Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese, Muja, thotë se Kosova parimisht duhet të jetë e gatshme për të zbatuar pjesën e saj të obligimeve në dialog, mirëpo kjo duhet bëhetvetëm në kuadër të zbatimit në tërësi të marrëveshjes edhe nga ana e Serbisë.
Muja: Kosova parimisht duhet të jetë e gatshme për të zbatuar pjesën e saj të obligimeve
“Kosova parimisht duhet të jetë e gatshme për të zbatuar pjesën e saj të obligimeve që i ka marrë në kuadër të marrëveshjes së Brukselit. Mirëpo meqenëse ne jemi palë, ne duhet të sigurohemi që kemi marrëveshje në kuptimin formal. Po është e vërtetë, por është evidente që Lajçak dhe Borrell e kanë fshehur mospranimin e Serbisë siç u tha për t’i ikur sanksioneve. Besoj se kërkohet më shumë sinqeritet dhe përkushtim, sidomos edhe nga ndërmjetësit që të thonë të vërtetën për të gjithë”, thekson Muja.
Krahas kësaj, Muja thotë se në bazë të Ligjit për menaxhimit të financave publike rritja e pagave mund të bëhet krahas rritjes ekonomike.
Mirëpo sipas tij, qeveria aktuale se ka mendësinë si ish-qeveritë e kaluara që të rritë pagat në prag të zgjedhjeve.
Muja: Qeveria Kurti s’ka mendësi që të rritë pagat në kohë zgjedhjesh
“Mbi bazën e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësit, rritja e pagave mund të jetë neni 26 duhet të shkojë sipas rritjes ekonomike, pasi kështu është përcaktuar në vitin 2016….Këtë në disrekcion e ka Ministria e Financave sipas mundësive fiskale, mirëpo ajo duhet të shihet me hapësirën fiskale që e ka Kosova. Ne gjithsesi do të mbështesim çfarëdo propozimi që ka ministria, mirëpo asi mendësie që të rritet paga në kohë zgjedhje ne nuk kemi. Ne kemi premtuar më së paku rritjen e pagave ose s’kemi premtuar fare, por ne i kemi rritur më së shumti në kuptim të përqindjes”, përfundon Muja.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot mban takim me liderë të partive politike për përcaktimin e datës së zgjedhjeve përgjithshme në Kosovë.
Të martën presidentja e vendit Vjosa Osmani ishte takuar me ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier të cilin e njoftoi lidhur me nisjen e fazës së konsultimeve me krerët e partive politike sa i përket zgjedhjeve të rregullta.