Prokuroria Themelore në Prizren më 26 korrik 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Deli Halili dhe Ismajl Ismajli, të cilët ngarkohen se i kanë fshehur urdhëresast e gjykatës, duke ua mundësuar të dënuarve t’i shmangen dënimit me burg apo kryerjes së pagesave në emër të dënimit me gjobë.
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se në Polici, i akuzuari Halili ka deklaruar se me udhëzimet e të akuzuarit Ismajli kishte përpiluar urdhëresat për shtyrje të ekzekutimit me burg për raste të caktuara dhe në tri-katër raste kishte marrë të holla, kurse Ismajli ka mohuar të ketë bashkëpunuar me Halilin për atë çështje dhe t’i ketë dhënë të holla.
Sipas aktakuzës, nga data 4 prill 2022 e deri më 26 janar 2024 në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtar – duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, Deli Halili në pozitën e bashkëpuntorit profesional në zyrën e ekzekutimit të sanksioneve penale dhe Ismajl Ismajli në pozitën e referentit në zyrën e ekzekutimeve të sanksioneve, në bashkëkryerje nuk i përmbushin detyrat zyrtare, me qëllim të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.
Aktakuza thotë se me dashje nuk i kanë dorëzuar, duke i fshehur urdhëresat e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë nëntë lëndë, të cilat kanë qenë dashur të dërgohen për ekzekutim duke i mundësuar të dënuarve, t’i shmangen mbajtjes së dënimit me burg, apo kryerjes së pagesave në emër të dënimit të shqiptuar në të holla, duke i shkaktuar dëm sistemit gjyqësor.
Me këtë, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Çka deklaruan të akuzuarit në Polici?
Sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari Halili në deklaratën e dhënë në Polici ka thënë se ka vepruar na bazë të udhëzimeve të kolegut, tani të akuzuarit Ismajli. Po ashtu, Halili ka deklaruar se me udhëzimet e Ismajlit kishte përpiluar urdhëresat për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burgim për raste të caktuara dhe se për këto veprime në tri apo katër raste ka marrë të holla deri në 250 euro.
“Në deklaratën e dhënë në polici ka cekur se ka vendosur në bazë të udhëzimeve të kolegut të tij Ismail Ismajli dhe më pas edhe në deklaratë e dytë të dhënë në polici ka cekur se për këto veprime në tri apo katër raste ka marrë të holla deri në 250 euro për secilin veprim”, thuhet në aktakuzë.
Ndërkaq, i akuzuari Ismajli në deklaratën e dhënë në Polici ka mohuar se ka bashkëpunuar me Halilin për shtyrje të ekzekutimit të dënimeve me burg për disa lëndë apo edhe t’i ketë dhënë holla. Por, ka pranuar se ka punuar në një zyrë me Halilin dhe se me ka udhëtuar me të çdo ditë për në punë.
Po ashtu, thuhet se i akuzuari Ismajli ka pranuar se personin Ylber Abdullahu, nuk e ka njohur porse ka dëgjuar për të vetëm se ka qenë në dijeni se ka qenë recidivist në kryerjen e veprave të ndryshme penale.
Dy të akuzuarit, pas dëshmisë së dhënë në Polici, kishin dëshmuar edhe në zyrat e Prokurorit të Shtetit.
Çështja penale ndaj dy të akuzuarve është deleguar në kompetencë të Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore në Prizren pasi që dy të akuzuarit janë punonjës të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila është shpallur jokompetente për të vazhduar me rastin.
Halili dhe Ismajli ishin ndaluar nga Policia e Kosovës më 29 janar 2024 nën dyshimet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 i KPRK-së.