Ish-kryetari i Sindikatës së Trepçës, Gani Osmani, ka folur për grevën në të cilën gjenden minatorët pasi tha se s’kanë marrë paga tash e dy muaj.
Osmani tha se minatorët e Trepçës nuk e kanë marrë pagën e qershorit dhe të korrikut, teksa tha se të njëjtit kanë kërkuar që problemi i minatorëve të zgjidhet, e që sipas tij, kjo kërkesë ishte edhe në grevën 10-ditore të tetorit të vitit të kaluar.
“Tri pikat kryesore kanë qenë që të ndërrohet kryeshefi, pasi s’po bëhen pagat me kohë, dhe çdo kryeshef që vjen që paga të merret nga 6 deri më 10 dhe përmirësimi i kushteve të punës. Një pagë e kemi marrë me kohë, atë të janari dhe më s’kemi pasur stabilitet me paga. Minatorët kanë punuar deri më 10, i kanë qitë diku 4 mijë e 500 tonë. Më 10 është ndalur puna”.
“Ne kemi kërkuar prej bordit që të gjendet një zgjidhje sa më shpejt dhe të na jepet një garanci për së paku tre muaj dhe bordit t’i japim kohë së paku tre muaj. Ata kanë thënë se kanë bërë kërkesë në qeveri, kemi pasur shpresë se kjo do të rregullohet shpejt, por kjo s’ka ndodhur”, tha ai.
Tutje, Osmani tha se është hera e parë që Trepça nuk punon tash e 22 ditë dhe sipas tij, është hera e parë që minatorët s’kanë marrë paga tash e 2 muaj.