Huw Edwards, ish-prezantuesi kryesor i lajmeve të rrjetit BBC pranoi të mërkurën tre akuzat për qasjen me natyrë seksuale ndaj imazheve të fëmijëve. Akuzat për të cilat ai pranoi fajësinë në Gjykatën e Magjistraturës së Uestminsterit, në qendër të Londrës, kanë të bëjnë me imazhet e ndara gjatë një bisede në rrjetin WhatsApp në periudhen dhjetor 2020 dhe gusht 2021 nga një burrë që e kishte kontaktuar fillimisht zotin Edwards përmes rrjeteve sociale.
Zoti Edwards, i cili ishte drejtuesi kryesor i edicioneve informative të mbrëmjes të rrjetit BBC për dy dekada dhe drejtoi transmetimin e funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 2022, është liruar me kusht deri në një seancë dëgjimore më 16 shtator, para caktimit të masës së dënimit. Ai rrezikon deri në 10 vjet burg, megjithëse prokuroria pranoi se një dënim me kusht mund të ishte i përshtatshëm.
Gjykata u njoh me të dhënat se 62 vjeçari ishte përfshirë në një bisedë online me një të rritur që i kishte dërguar atij 377 imazhe seksuale, 41 prej të cilave, imazhe të pahijshme fëmijësh.
Po ashtu, personi i paidentifikuar e kishte pyetur zotin Edwards në 2 shkurt 2021 nëse subjektet e imazheve që po dërgonte ishin tepër të mitur. Ky i fundit i ishte përgjigjur që të mos i dërgonte më imazhe të të miturve. Megjithatë, ai i dërgoi edhe 5 imazhe të tjera dhe shkëmbimi i imazheve pornografike vazhdoi deri në prill të 2022.
“Qasja ndaj imazheve të pahijshme të të miturve kontribuon në shfrytëzimin seksual të fëmijëve, gjë që shkakton një traumë të thellë dhe afatgjatë mbi këto viktima”, tha Claire Brinton nga Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës.
Duke folur në mbrojtje të zotit Edwards, avokati i tij Philip Evans tha se nuk ka “asnjë tregues” se klienti i tij ka krijuar ndonjë imazh, në kuptimin tradicional të fjalës”.
Ai shtoi se zoti Edwards, “nuk ruajti asnjë fotografi, nuk ia kishte dërguar askujt dhe nuk kishte parë në asnjë burim tjetër imazhe të ngjashme”. Sipas tij, ai ka probleme të shëndetit fizik dhe mendor.
Prokurori Ian Hope i tha gjykatës se “pendimi i vërtetë” i zotit Edwards ishte një arsye se pse mund të konsiderohej mundësia për një dënim me kusht.
Një zëdhënës i Shoqatës Kombëtare për Parandalimin e Mizorisë ndaj Fëmijëve tha se nuk duhet të ketë “asnjë dyshim” për seriozitetin e krimeve të zotit Edwards, shkruan VOA.
“Mund të jetë jashtëzakonisht traumatike për të rinjtë të dinë se imazhet seksuale të tyre janë shpërndarë në internet”, tha zëdhënësi.
Zoti Edwards, i cili ishte një ndër personalitetet më të paguara në BBC, u pezullua në korrik 2023 për akuza të tjera, të palidhura me rastin. Më vonë ai dha dorëheqjen për arsye shëndetësore.
Tags: BBCHuw Edwardsimazhe me natyrë seksuale të fëmijëve