Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook ka reaguar për vrasjen e një gruaje nga komuna e Graҫanicës, nga bashkëshorti i saj.
Presidentja Osmani shkruan se ky akt mizor nuk është incident i izoluar, por një veprim shqetësues i dhunës ndaj grave që kërkon veprim të menjëhershëm dhe vendimtar.
Presidentja shkruan më tutje se, institucionet e drejtësisë duhet të sigurohen që nëpërmjet zbatimit të saktë të ligjeve dhe udhëzuesve të dënimeve t`i japin fund femicidit.
Postimi i plotë:
Një grua më pak, një vrasës më shumë!
E tmerruar dhe e indinjuar nga vrasja brutale e gruas M.Zh. nga duart e bashkëshortit të saj në Gushtericë të Poshtme në komunën e Graçanicës. Mizori të tilla që po vazhdojnë të atakojnë shoqërinë tonë nuk duhet të tolerohen.
Ky akt mizor nuk është një incident i izoluar, por një veprim shqetësues i dhunës ndaj grave që kërkon veprim të menjëhershëm dhe vendimtar.
Institucionet e drejtësisë duhet të sigurohen që nëpërmjet zbatimit të saktë të ligjeve dhe udhëzuesve të dënimeve t`i japin fund femicidit. Fatkeqësisht, shohim tepër shpesh raste kur dhunuesit lirohen me dënime shumë më të ulëta sesa ato që parashihen me ligj.
I shpreh ngushëllime të thella familjes së viktimës dhe jemi përkrah të gjithë atyre që kanë humbur familjaret e tyre për shkak të femicidit.
Të gjithë duhet të jemi një, derisa asnjë grua të mos ketë frikë për jetën e saj!