Pasi Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës kanë anuluar vendimin e dënimit të Salih Mustafës me burgim prej 22 viteve dhe të njëjtin e kanë kthyer në shqyrtim pranë Gjykatës së Apelit, kryetarja e Dhomave të Specializaura, Ekaterina Trendafilova, ka përcaktuar më 31 korrik panelin e gjyqtarëve të apelit të cilët do ta trajtojnë rastin.
Lajmin është bërë i ditur sot nga vetë Gjykata Speciale përmes një komunikate për media.
“Më 31 korrik 2024, Presidentja Trendafilova caktoi gjyqtarin Michèle Picard, gjyqtarin Kai Ambos dhe gjyqtaren Nina Jørgensen në Kolegjin e Gjykatës së Apelit për caktimin e ri të dënimit të Mustafës në përputhje me Vendimin mbi Kërkesën e Mustafës për Mbrojtjen e Ligjshmërisë”, thuhet në njoftim.
Vendimi
Ndryshe, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave.
Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë, ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.
Kurse, Gjykata e Apelit të Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.
Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehësuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.
Ndërsa, prokurorja e specializuar, Kimberly West e quajti ‘fitore për drejtësinë’ vendimin e Apelit ndaj Salih Mustafës.