Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Milionat e humbura për digjitalizim të shkollave

 
   

Për ta ligjëruar lëndën e Teknologjisë Informative dhe Komunikimit (TIK), profesori Ali Berisha në shumicën e rasteve e përdor laptopin e tij personal.

Berisha, profesor në shkollën fillore “Andon Zako Çajupi” në fshatin Bardhosh të Prishtinës, thotë se nuk arrin ta realizojë orën e tij mësimore siç duhet, për shkak se përballet me mungesë të infrastrukturës dhe pajisjeve informative.

“Shkolla e ka një laptop për kabinetin e TIK-ut, atë e përdor kolegu tjetër, kurse unë e përdor laptopin tim pasi që ka performanca më të mirë. Në kabinetin e shkollës janë shtatë kompjuterë Pentium 4, të cilët tashmë kanë dalë nga përdorimi dhe shumë herë nuk janë funksionalë”, tregon Berisha.

Një profesor tjetër i TIK-ut në një nga shkollat në Prishtinë, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha se në mungesë të pajisjeve kompjuterike në kabinet, në disa raste, e ka përdorur telefonin e tij dhe ka udhëzuar nxënësit t’i përdorin telefonat e tyre për të mësuar programe të ndryshme.

Para një dekade, Qeveria e Kosovës kishte marrë një kredi mbi pesë milionë euro për digjitalizimin e procesit mësimor, furnizimin e shkollave me pajisje kompjuterike dhe për digjitalizim për testim dhe vlerësim të provimit të maturës.

Kjo kredi është marrë në vitin 2014, këstet e së cilës Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i paguajë deri në vitin 2032, sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të publikuar në muajin prill të këtij viti.

Kredia në vlerë prej 5.6 milionë eurosh ishte marrë nga banka austriake UniCredit Banka Austria dhe Qeveria e Austrisë si garantuese. Kjo kredi ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014.

Këto para synohej të përdoreshin për projektin “Modernizimi i sistemit të edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit”, të përgatitur nga Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Qëllimi i projektit ka qenë digjitalizimi i procesit mësimor, pajisja e shkollave fillore dhe të mesme me kompjuterë, si dhe digjitalizimi për testim dhe vlerësim të provimit të maturës.

“Ministria ka dështuar në projektin për digjitalizimin e arsimit parauniversitar”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga MASHTI-i kontratën apo ndonjë dokument që specifikon se çka konkretisht përmban projekti dhe çka është përfunduar deri më tash, por i është thënë se “MASHTI nuk posedon dokumentacion të mirëmbajtjes, zhvillimit dhe as qasje në atë platformë”.

Projekt “pa analizë dhe planifikim paraprak”

Përveç tjerash, në raportin e ZKA-së thuhet se projekti ishte realizuar “pa analizë”, “pa planifikim paraprak” dhe as që ishte caktuar ndonjë menaxher nga MASHTI për këtë projekt.

Pas pranimit të këtij raporti, Ministria e Arsimit tha për REL-in se “rasti është adresuar në organet e hetuesisë”.

Prokuroria Speciale e Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të REL-it dhe ende nuk dihet se ku kanë shkuar paratë e marra për këtë projekt.

Lidhur me dështimin e këtij projekti, Radio Evropa e Lirë kontaktoi ministrin e atëhershëm të Arsimit, Ramë Buja, i cili nuk pranoi të flasë për këtë çështje pasi tha se “ka kaluar kohë e gjatë”.

Ndërkohë, Arbër Morina, shef i kabinetit të ish-ministrit Buja, tha se ai “nuk ka qenë përgjegjës për këtë punë” dhe shtoi se ka kaluar shumë kohë “për të kujtuar detajet”.

Digjitalizimi, proces i nevojshëm

Provimi i maturës i sivjetmë, që është mbajtur më 26 qershor, është mbajtur sërish në mënyrën klasike, me laps e letër.

Dukagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se përgjegjësia për dështimin e procesit të digjitalizimit të sistemit të arsimit u takon ish-zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit.

Por, Pupovci shton se Ministria aktuale duhet ta marrë përsipër ta kryejë digjitalizimin e shkollimit.

“Secila klasë në Kosovë besoj se në një të ardhme të afërt duhet ta ketë një kompjuter, një projektor apo tabelë të mençur, të cilat mund të shfrytëzohen për konkretizimin e mësimit”, tha ish-zëvendësministri i Arsimit.

Ai shton se të rinjtë në Kosovë do t’i kuptonin më lehtë mësimet nëse ato do t’u transmetoheshin përmes formave digjitale, sesa në formën tradicionale të ligjërimit.

MASHTI e ka vendosur digjitalizimin e shkollave si objektiv kryesor në Strategjinë e Arsimit 2022-2026. Në pesë vjetët e ardhshëm parashihet të shpenzohen 52 milionë euro për këtë proces.

Në sistemin e arsimit parauniversitar mësimet i vijojnë mbi 300 mijë nxënës në më shumë se 1.000 shkolla.

Të dhënat e MASHTI-it tregojnë se në këto shkolla ka gjithsej 9.138 kompjuterë, apo mesatarisht 1 kompjuter për 35 nxënës./REL