Ndërtimi i rrugës për në bjeshkët e Moknës në Istog, ka nxitur një përplasje ndërmjet zëvendësminsitrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Durmishi i ka reaguar Abdixhikut, pasi ky i fundit sot tha se ndërtimi i rrugës në atë pjesë është investim nga komuna e Istogut, që qeveriset nga Ilir Ferati (LDK).
Në reagimin e bërë, Durmishi thotë se rruga e Moknës është projekt i Ministrisë së Infrastrukturës.
“Lumir mos mashtro! Që në mëngjes, nga Istogu, e nise ditën me mashtrime. Rruga e Moknës nuk është projekt lokal por komplet investim i ministrisë tonë. Edhe në Pejë e bëre të njëjtën gjë vitin e kaluar sikur sot në Istog. Në komunat ku ju qeverisni nuk po mund t’a gjeni asnjë projekt të nivelit lokal për të bërë një foto a video, prandaj kudo që shkoni, investimet direkte të Qeverisë së Kosovës, po mundoheni që t’i paraqitni si projekte lokale”, ka pohuar ai.
Tutje, ai ka shtuar se ” vazhdimisht ankoheni për mungesë të investimeve kapitale por kudo që shkoni i shihni projektet konkrete duke u realizuar në ato komuna”.
“Ne nuk i diskriminojmë komunat. Nuk e diskriminojmë as Istogun. Mbi 10 milion euro investime po bëhen nga ministria e jonë në Istog dhe do të vazhdojmë me investime edhe në të ardhmen. Këtë po e bëjmë për qytetarët që të kenë më të lehtë zhvillimin e turizmit dhe më të lehtë e më të sigurt lëvizjen në komunikacion”, thekson ai.
Mes tjerash, ai ka shtuar se “Mokna, Lugu i butë e zona të tjera në Istog do të bëhen vende të rëndësishme turistike për shkak të investimeve që po i bënë Qeveria e Kosovës, dhe këto punë të mira do t’i gëzoj edhe Lumiri dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Ndryshe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka lavdëruar punën që po e bën kryetari i Istogut, Ilir Ferati.
Abdixhiku ka shkruar për rrugën që po bëhet për në bjeshkën e Moknës, duke shtuar se vendi ynë ka nevojë për projekte të tilla.
“Mirëmëngjesi nga Istogu. Nga Bjeshka e Moknës dhe rruga e re prej 19.1 kilometrave që po ndërtohet aty. Një koridor i ri turizmi, një model konkret i punës që vërtetë ka rëndësi! Dhe për këso politika e këso projekte ka nevojë vendi ynë. Temat e tjera të thata, përplot mllef e urrejtje, sharje e përplasje, po mbajnë shtetin e shoqërinë peng – tash e katër vjet”, tha Abdixhiku.