Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Stradner paralajmëron “raund të dytë” të përshkallëzimit në Kosovë: Putini dëshiron të tregojë se NATO është një tigër prej letre

 
   

Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, vlerësoi në një intervistë për programin e “Radios Evropa e Lirë” në gjuhën serbe se Rusia do të vazhdojë përpjekjet për të destabilizuar rajonin dhe sfiduar NATO-n edhe përgjatë vitit 2024, posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës.

Stradner, duke folur rreth marrëveshjes mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian (BE) për litiumin, deklaroi se presidentit rus, Vladimir Putin, nuk i intereson shumë kjo pjesë, por tensionet në rajon, derisa kujtoi sulmin e dhunshëm në maj të vitit 2023 në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ndaj trupave të Forcës së NATO-s (KFOR).

“Putinit nuk i intereson fakti që ne mendojmë se Vuçiçi është duke u afruar më shumë me Perëndimin. Ai e di se kjo nuk do të zgjasë shumë. Vitin e kaluar, rreth 90 paqeruajtës të NATO-s u plagosën në trazirat në Kosovë sepse Putini dëshiron të tregojë se NATO është një tigër prej letre… Besoj se së shpejti do të ketë një raund të dytë”, konsideroi mes tjerash ajo.

Stradner shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk e ka ndërmend ta afrojë Serbinë me BE-në, pavarësisht marrëveshjes për litiumin – metal i butë për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike – por luan një “lojë të dyfishtë” në përpjekje për të ruajtur pushtetin për një kohë të gjatë.

“Sjellja aktuale e BE-së ndaj Serbisë nuk është befasuese sepse politika e jashtme evropiane bazohet në parimin e pragmatizmit. Brukseli e di shumë mirë se Serbia është larg anëtarësimit në BE. Është naive të besohet se Vuçiçi dëshiron që Serbia të anëtarësohet në BE… Pse? Sepse hyrja e Serbisë në BE do të pamundësonte qëndrimin e tij në pushtet sa të dojë”, potencoi Stradner.

“Në rastin e litiumit, presidenti serb përdor të njëjtën taktikë që përdori ndaj Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës – ai e përshkallëzon situatën, pastaj e de-përshkallëzon dhe pastaj e pozicionin veten si garantues i vetëm i paqes. Kësaj here ai shfaqet si dikush që dëshiron të bashkëpunojë me Perëndimin”, nënvizoi Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive (FDD).

Ndryshe, për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndëretnike në rajon, tani rreziku i ripërshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.