Opinionisti Lirim Gashi thotë se Serbia e kërcënon ekzistencën e shtetit të Kosovës në periudhën e pasluftës.
Gashi përmes një shkrimi në Facebook, ka shkruar se “kushdo që nuk e njeh në këtë fakt luftën speciale të shërbimeve sekrete serbe dhe ruse kundër Kosovës, që u zhvillua në shumë fronte në të njëjtën kohë, nuk kupton asgjë nga politika në përgjithësi dhe nga ajo serbe e ruse në veçanti”.
Opinionisti ka përmendur edhe arsyet pse Serbia duhej të zhvillonte një luftë speciale kundër Kosovës në shumë fronte në të njëjtën kohë.
Shkrimi i plotë:
Ja si e kërcënoi Serbia ekzistencën e shtetit tonë të ri në periudhën e pasluftës
Budallenjtë ia japin patriotizmit virtytet më budallaqe, duke e kthyer atë në një veprimtari antisociale, antishoqërore, antikombëtare dhe antishtetërore, sepse bëhen lehtësisht viktima të manipulimit të shërbimeve sekrete armike.
Më duhet të pranoj me shumë shqetësim se kurrë në historinë e tij patriotizmi shqiptar nuk ka qenë kaq i kontaminuar dhe i kërcënuar nga marrëzia, grykësia, krimi, korrupsioni, tradhtia dhe ekstremizmi fetar.
Patriotizmi shqiptar është bërë thjesht ombrellë e hajdutëve, tradhtarëve, kriminelëve, ekstremistëve dhe terroristëve më të mëdhenj, si dhe e agjentëve më të rrezikshëm të shërbimeve sekrete të armikut, të cilët flasin shqip dhe ndjejnë e mendojnë serbisht, rusisht, turqisht dhe arabisht.
Dhe kushdo që nuk e njeh në këtë fakt luftën speciale të shërbimeve sekrete serbe dhe ruse kundër Kosovës, që u zhvillua në shumë fronte në të njëjtën kohë, nuk kupton asgjë nga politika në përgjithësi dhe nga ajo serbe e ruse në veçanti.
Pse Serbia duhej ta zhvillonte një luftë speciale kundër Kosovës në shumë fronte në të njëjtën kohë?
Meqenëse ajo pas dëbimit me ndihmën e NATO-s dhe UÇK-së, thjesht nuk ishte më fizikisht e pranishme në Kosovë me institucionet e saj politike, ekonomike, arsimore, kulturore, propagandistike, informative, inteligjente, ushtarake dhe policore.
Prandaj ajo u detyrua t’i zgjonte, mobilizonte dhe riaktivizonte ish agjentët e saj shqipfolës dhe përmes shantazhit t’i detyronte t’i zbatonin të gjitha urdhrat e oficerëve të inteligjencës serbe dhe ruse.
Ndërkohë, menjëherë pas ndërhyrjes së NATO-s detyrën për t’i rekrutuar dhe korruptiuar politikanët tanë më të rëndësishëm të pasluftës e morën nga shefat e tyre serbë biznesmenët dhe tregtarët kosovarë, të cilët u bënë oligarkë të pasur përmes tregtisë me Serbinë në kohën e Millosheviqit.
Ata kishin për detyrë të korruptonin politikanët tanë më me ndikim dhe më të rëndësishëm të pasluftës, veçanërisht ata të LDK-së, dhe t’i detyronin për të instaluar agjentë shqipfolës të inteligjencës serbe dhe ruse në të gjitha institucionet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme të Kosovës.
Në këtë mënyrë ata i shkaktuan dëme të mëdha të gjitha institucioneve tona më të rëndësishme dhe ndjeshme shtetërore, duke paralizuar pushtetin vendimmarrës politik, gjyqësor, policor, legjislativ dhe ekzekutiv dhe duke i tronditur themelet e shtetit.
Pse vazhdoj të theksoj se ne kemi numrin më të madh të budallenjve të dëmshëm, të rrezikshëm dhe gjysmë-analfabetë në Evropë dhe jo vetëm tani, por përgjatë gjithë historisë sonë kombëtare?
Sepse nëse nuk do të kishim numrin më të madh të budallenjve analfabetë, të rrezikshëm dhe të poshtër, ne nuk do të ishim i vetmi komb në Evropë që nuk i ka arritur ende synimet kombëtare dhe shtetërore, të cilat kombet e tjera i kanë arritur në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë.
Nëse nuk arrijmë një nivel inteligjence që do të na mundësonte ta dallojmë mjaltin nga muti brenda disa të qindtave të sekondës, ne do të jemi gjithmonë pengje të pavetëdijshme të politikës serbe dhe ruse dhe nuk do të mund të jetojmë kurrë normalisht.