Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Postës së Serbisë Zoran Angjellkoviq, i cili gjatë periudhës së Millosheviqit, si kuadër i SPS’it ka mbajtur pozitën e Kryetarit të Këshillit Ekzekutiv në Kosovë, ka folur për aksionin e Policisë së Kosovës që mbylli 9 zyra postare në Veri. Angjellkoviq ka thënë se Posta e Serbisë ka 256 punëtorë në Kosovë dhe sipas tij ata do t’i marrin pagat e tyre dhe se do të gjejnë mënyra tjera për t’i kryer punët. Tutje, Angjelkoviq, aksionin e Policisë e ka cilësuar në mënyrë propaganduese si “vazhdim i terrorit ndaj popullit serb”.
Ai ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, duke thënë se ka përkrahje të heshtur nga vendet e QUINT’t.
“Siç e dini vetë, që kur ka ardhur në krye të Qeverisë, Albin Kurti po bën terror ndaj popullit serb në Kosovë dhe për këtë përdor metoda të ndryshme, presione, kërcënime dhe shantazhe. Dje kjo ndodhi me bastisje në orët e para të mëngjesit në shtëpitë në Kosovën e Pomoravës për të frikësuar njerëzit dhe për të arrestuar ata që kanë jetuar atje për 25 vjet, që nga bombardimi i NATO-s. Tani janë kujtuar se kanë kryer krime lufte. Nëse do ta kishin kryer, nuk do të jetonin atje për 25 vjet. Sot, ky presion është në një anë tjetër të Kosovës. Dje ishte e rëndësishme të frikësonin njerëzit në Kosovën e Pomoravës, sot në veri të Kosovës po hyjnë në Postat e Serbisë në të katër komunat me armë të gjata dhe të armatosur”, tha Angjelkoviq për portalin në gjuhën serbe Kosovo Online.
Ai ka vazhduar duke thënë se aksioni ishte “i papranueshëm”, por shton se siç thotë ai Prishtina, për masa të tilla ka madje edhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe vendeve të Quintit.
“Është një situatë pa asnjë dënim, presion ose më mirë të themi, gjithçka ndodh me mbështetjen e vendeve të Quintit që përkëdhelin e Kurtit dhe i lejojnë atij të kryejë dhunë ndaj popullit serb dhe kjo vazhdon nga individët deri te institucionet”, ka deklaruar Angjelkoviq.
Po ashtu ka deklaruar se do të dërgojnë letra në institucione ndërkombëtare për t’u ankuar për këtë.