Veton Elshani, zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për veriun, ka njoftuar se për sot është paralajmëruar një protestë e serbëve në pjesën veriore të Kosovës.
Elshani ka thënë se protesta pritet të jetë e qetë. Siç ka thënë ai, arsyeja e protestës sipas organizatorëve është “gjendja e rëndë e serbëve në Kosovë”.
Ai po ashtu ka deklaruar se do të ketë policë të mjaftueshëm që gjithçka të jetë nën kontroll.
Përndryshe, të martën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se në jug “do të mblidhen shqiptarët”, duke iu referuar një thirrjeje të Agim Bahtirit që e ka bërë për një “tubim madhështor”.
Vuçiq madje i ka bërë thirrje KFOR-it që t’i mbrojë serbët.
Por, Elshani e ka demantuar këtë, duke thënë se nuk është paralajmëruar asnjë tubim i shqiptarëve në jug.
“Nuk ka asnjë njoftim për një tubim të tillë në jug”, tha Elshani.
Për rastin ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai ka thënë se asnjë shqiptar nuk nuk do të marshojë mbi urë, duke e demantuar kështu presidentin e Serbisë, i cili ka deklaruar se “shqiptarët do të marshojnë në Urën e Ibrit”.