Avokati Ardian Bajraktari konsideron se procesi i kryerjes se autopsisë së trupit të pajetë të Faton Hajrizit, është çështje orësh dhe menjëherë pas përfundimit trupi mund t’i dorëzohet familjes.
Ndërsa, nëse nuk do të ketë nevojë për mostra shtesë në ndonjë laborator tjetër, sipas tij raporti duhet të përpilohet jo më vonë se 15 ditë.
“Natyrisht që kryerja e procesit unë besoj që është çështje orësh, pastaj besoj shumë shpejt që pas përfundimit të autopsisë trupi mund t’i dorëzohet familjes, sepse në momentin që kryhet autopsia nuk ka arsye ligjore që i njëjti të qëndrojë në morgun e institutit të mjekësisë ligjore.Ndërsa, në rast se nuk do të ketë nevojë për dërgim të ndonjë mostre shtesë, në ndonjë laborator atëhere përpilimi i raportit sipas rregullit përkatësisht nenit 7 të ligjit për mjekësinë ligjore duhet të përpilohet jo më vonë se 15 ditë nga moment kur dorëzohen të gjitha mostrat”, ka thënë ai në emisionin “Ditari”.
Avokati ka thënë se autopsia do i shuaj dilemat se a ishte vrasje apo vetëvrasje rasti i Faton Hajrizit.
Bajraktari, nuk e ka përjashtuar mundësinë që koha e kaluar prej tre javësh, të ndikojë gjatë realizimit të autopsisë.
Megjithatë, konsideron se ekspertët mjeko-ligjorë, mbi bazën e urdhërave dhe autorizimeve që do të marrin nga prokurori, nuk do të vonojnë ta kryejnë procesin.
“Natyrisht që nuk përjashtohet mundësia të ndodhë ndonëse është çështje e ekspertëve të fushës së Mjekësisë mjekoligjore, mirëpo duke u bazuar në ato njohuri që i kemi, unë dua të besoj që ekspertët tanë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, mbi bazën e urdhërave dhe autorizimeve që do të kenë nga ana e prokurorit dhe kërkesave në lidhje me konstatimin e mënyrës së vdekjes, shkakut e të gjitha këto, do ta kryejnë pa vonesë, në drejtim të konstatimit dhe shuarjes së një varg dilemash në lidhje me mënyrën në lidhje me vrasjen apo vetëvrasjen e të ndjerit Hajrizi, në mënyrë që pastaj edhe e gjithë kjo saga e diskutimeve dhe ngritjes së teorive të ndryshme të marrë epilog”, ka shtuar avokati.
Ndryshe, trupi i të ndjerit është kthyer mbrëmë në Kosovë, pas insistimit të avokatit të familjes Hajrizi, Arianit Koci, i cili tha se pati bashkëpunim të ngushtë edhe me ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd.
Ndërkohë ishin pikërisht familjarët ata që në prani të mjekut kujdestar, identifikuan trupin e Faton Hajrizit, për t’i lëshuar rrugë më pas procedurave të obduksionit.