Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​26 vjet nga rënia heroike e heronjve Agim Bajrami, Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj

 
   

10 gushti i vitit 1998, mbetet një ditë historike për Komunën e Kaçanikut, ngase në këtë ditë, dolën krismat e para çlirimtare në anën e Kaçanikut, ku edhe ranë heroikisht komandant Agim Bajrami, me bashkëluftëtarët Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj, për t’u bërë pjesë e përjetshme e historisë.

Sot mbushen 24 vjet nga rënia heroike e heronjve Agim Bajrami, Besnik Begunca dhe Xheladin Kurtaj, datë kjo në të cilën shënohet edhe Dita e Dëshmorëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami”.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi më 2019 ka dekoruar 16 dëshmorët e Komunës së Kaçanikut me urdhrin më të lartë shtetëror “Hero i Kosovës”: Avdylgafur Luma, Bashkim Vishi, Besnik Begunca, Fadil Qaka, Hetem Hasaj, Izahir Troni, Milaim Loku, Muhamet Zeneli, Murat Lika, Nazim Terziu, Nazmi Osmani, Osman Luma, , Xheladin Kurtaj, Mejdi Dalloshi, Reshat Shehu dhe Tefik Raka.

Rruga luftarake e Brigadës 162 “Agim Bajrami” ishte e gjatë dhe plot me sakrifica, por ajo ishte edhe e lavdishme.

Kjo Brigadë kishte zbatuar strategjinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandës së Zonës Operative të Nerodimes, duke përdorur taktikën e luftës për të marshuar rrugës çlirimtare.

Rruga luftarake e Brigadës 162 “Agim Bajrami” ka filluar në mars të vitit 1998 me ardhjen e komandantit Agim Bajrami, i emëruar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Ka bërë koordinimin e vijave furnizuese për UÇK-në, ka formuar njësitë e furnizimit, ka formuar njësitin i cili ka udhëtuar më 18 korrik 1998 për në Tropojë për t’u armatosur dhe përgatitur ushtarakisht dhe ka vendosur njësitet e Kaçanikut më 4 gusht 1998 në pikën e luftës, në Jezerc.

Brigada 162 “Agim Bajrami”, në luftën çlirimtare, ka dhënë 95 dëshmorë të lirisë. Në mesin e tyre edhe dy komandantë të Brigadës: Agim Bajrami dhe Qamil Ilazi, dhe veprimtarin e çështjes kombëtare Ismajl Raka.