Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dronët “Bayraktar” në territorin e Serbisë, Kosova mohon akuzat, ja për çfarë po përdoren

 
   

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës operon në baza të rregullta me dronët “Bayraktar” të blerë gjatë vitit të kaluar nga shteti i Turqisë.

“Ne jemi duke i përdorur dronët ‘Bayraktar’. Bashkë me gjeneral Jasharin, komandantin e FSK-së, gjatë muajit maj kemi vizituar njësinë e sistemeve ajrore pa pilot, njësi e re që e kemi krijuar pas kontraktimit të dronëve Bayraktar”, tha ai.

Ai i ka quajtur rreme pretendimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, se këta dronë kanë kaluar në territorin e Serbisë.

“Jo, assesi nuk i përdorim dronët jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Synim kryesor i përdorimit të këtyre dronëve është vëzhgimi i territorit të Republikës së Kosovës me qëllim identifikimin e rreziqeve për territorin e vendit tonë”, shtoi.

Vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati prezantuar dronët Bayraktar TB-2 të cilët Qeveria i kishte blerë nga Turqia.

“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia. Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë”, pati shkruar Kurti në Facebook.

Bayraktar janë shndërruar në sinonim të suksesit në betejë, pas manovrimeve efikase të ushtrisë ukrainase kundrejt caqeve ruse. Lufta në Vietnam, protagonist pati Kallashnikovin, të njohur shkurtimisht si AK-47.

Lufta në Afganistan pati Stinger-in, predhën e famshme kundërajrore, të cilën mund ta përdorte çdokush. Kurse, lufta në Ukrainë, protagonist deri tani, ka pikërisht dronët ushtarakë turq Bayraktar. Ato, Ukraina i ka blerë nga Ankaraja, pikërisht për t’u mbrojtur nga agresioni i Vladimir Putinit.