Arratisja nga burgu i Smrekonicës i kushtoi me jetë Faton Hajrizit, i cili edhe u vra nga policia serbe gjatë muajit korrik.
Ai kishte mbajtur më shumë se 17 vite burg në Kosovë, ndërsa Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte njoftuar se atij i kishin mbetur dënim edhe 7 vite e 6 muaj.
Rasti i tij nxiti reagime të shumta në vend, duke ngritur pyetje rreth trajtimit të të burgosurve dhe përgjegjësisë së autoriteteve për sigurinë e tyre.
Por si ndodhi e gjithë ngjarja?
Hajrizi në moshën 15 vjeçare, në vitin 2000 kishte vrarë një ushtar rus, sipas tij, vrasjen e ka kryer pasi ushtari rus kishte sharë popullin shqiptar.
“Në fillim kam rënë për vrasje, vepër për të cilën nuk pendohem, pavarësisht që ka qenë pjesë e kontingjentit të ndërkombëtarëve, të NATO-s. Jam në burg që nga janari i vitit 2000 – me një ndërprerje prej katër muajsh – deri në vitin 2006. Mandej kam rënë në janar të vitit 2006 dhe jam dënuar me 25 vite për grabitje dhe vrasje në tentativë”, thoshte ai.
Arratisjet e tij nga burgjet ishin bërë të zakonshme, ndërsa arratisja e tij e fundit ishte ajo më 6 korrik.
Ku nga Shërbimi Korrektues i Kosovës njoftuan se Faton Hajrizi është larguar nga burgu i Smrekonicës.
Policia e Kosovës e shpalli në kërkim tashmë të ndjerin, ndërsa ai në disa paraqitje në rrjetet sociale tha se ai është larguar nga burgu për shkak të disa keqtrajtimeve.
Ai kishte potencuar se do të kthehet për ta mbajtur edhe pjesën tjetër të dënimit në burg, por vetëm kur ai do të vendoste këtë.
Pas shumë deklarimeve që ai bëri në rrjetet sociale, ngjarja mori krejtësisht rrjedhë tjetër me datën 18 korrik, kur mediat serbe raportuan se ka ndodhur një vrasje e një policit serb në Loznicë.
Sulmuesi fillimisht u identifikua si Artan Hajrizi, vëllai i Fatonit, pasi në vendin e ngjarjes u gjenden dokumentet e tij. Mirëpo, Artan Hajrizi u paraqit nga Gjermania, duke deklaruar se Faton Hajrizi, vëllai i tij, ka qenë në Gjermani dhe ia ka vjedhur siç tha ai dokumentet.
Pas vrasjes së policit serb, autoritetet në Serbi e shpallën në kërkim Faton Hajrizin.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë më 19 korrik njoftoi se pas një kërkim intensiv për Faton Hajrizin, ai është gjetur dhe vrarë.
Sipas autortieteve serbe, Hajrizi ishte fshehur në një pikë karburanti afër FC Trbusnica, gjegjësisht në një kompleks të braktisur të fabrikës.
Vrasja dhe identifikimi
Pas vrasjes së Faton Hajrizit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës kishte kërkuar që të konfirmojnë identitetin e personit të vrarë.
Kosova kishte parashtruar kërkesë tri herë për identifikimin dhe kthimin e turpit të tij.
“Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi i ka parashtruar tri herë kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, për të konfirmuar identitetin e personit të vrarë më 19 korrik 2024 në Lloznicë dhe rrethanat e ngjarjes. Gjithashtu, kemi kërkuar mundësimin e kthimit të trupit të tij në Kosovë, por ende nuk kemi pranuar përgjigje zyrtare. Më 30 korrik 2024, përmes avokatit Arianit Koci dhe me asistimin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, është kryer testi i ADN-së nga ekspertët mjeko-ligjorë nga Beogradi tek nëna e shtetasit Faton Hajrizi në Vendkalimin Kufitar Dheu i Bardhë, tek pjesa serbe. Autoritetet serbe kanë deklaruar se do të duhen disa ditë për të kryer analizat e ADN-së. Deri më tani, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi nuk është njoftuar për përfundimin e analizave, dhe as avokati Koci nuk ka marrë ndonjë njoftim”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Avokati Arianit Koci, i cili është angazhuar për kthimin e trupit të Faton Hajrizit në Kosovë, më datën 8 gusht ka bërë të ditur se ka parë personalisht trupin dhe e ka konfirmuar identitetin e tij.
Ai gjithashtu kishte njoftuar se është në përfundim të procedurave për tërheqjen e kufomës nga morgu në Serbi dhe sjelljen e saj në Kosovë.
Po ashtu, më datën 8 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të qytetarit të Kosovës, i raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë.
Trupi i pajetë i Faton Hajrizit më datën 9 gusht mbërriti në Kosovë, ndërsa mbërritjen e trupit të pajetë e konfirmoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme.
MPJD njoftoi se trupi i është dorëzuar Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku edhe po kryhet autopsia.
Drejtori i Departamentit të Laboratorëve në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Agron Thaçi, ka konfirmuar se familjarët e Faton Hajrizit e kanë identifikuar trupin e tij.
“Është identifikuar nga familjarët e rastit në praninë e mjekut kujdestar…Për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe rrethanave në konsultim me drejtorin e përgjithshëm kemi formuar një komision tre anëtarësh prej ekspertëve mjekoligjorë që do të kryhet autopsia”, theksoi ai.
Ndërkaq, avokati Koci ka theksuar se trupi i pajetë i Faton Hajrizit nuk është mbajtur në kushte të duhura
“Trupi ka qenë i mbyllur hermetikisht, është hapur. Prapë dje është mbyllur hermetikisht tash prej transporterit…Dje e kam parë trupit, më lejuan, gjendja e trupit nuk ka qenë e mirë…Unë vlerësoj që nuk është mbajtur në kushte të mira, por nuk jam ekspert i asaj lëmie…Nuk e besoj që sot do të kryhet kjo procedurë sonte (dorëzimi i trupit tek familjarët)”, potencoi Koci.
Ndryshe, familja Hajrizi ka njoftuar se varrosja e Faton Hajrizit do të bëhet të dielën, në ora 14:00 në varrezat e fshatit Klinë e Ulët të Komunës së Skenderajt.