Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ministri Aliu flet për shqyrtimin teknik të Urës së Ibrit, tregon se a mund të hapet për qarkullim të automjeteve

 
   

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu thotë se nuk ka asnjë arsye që ura mbi lumin Ibër të mos hapet, derisa potencon se tashmë është bërë edhe shqyrtimi teknik i urës.

Në një intervistë, ministri Aliu thekson se punimet në magjistralen Prishtinë-Podujevë, të filluara para rreth tetë viteve, pritet që të përfundojnë në fund të vitit 2024.

Përveç kësaj, Aliu flet edhe për punimet në autostradën Prishtinë-Gjilan, për çka thotë se është hasur në vështirësi gjatë procesit.

Ai potencon se nuk mund të premtohet diçka konkrete rreth këtyre punimeve, pasi ka pasur shembje të cilat ndikuan komplet në ndryshim të projektit.

Ndërkaq, ai thekson se synimi i radhës mbetet hapja e korridorit ajror me Malin e Zi.

Aliu: Ura e Ibrit është dashur të hapet

“Ajo është çështje politike në të cilën ne si ministri jemi të përfshirë në aspektin teknik të saj. Sa i përket aspektit teknik, është bërë shqyrtimi teknik i urës dhe mbetet të marrim përgjigje. Unë mendoj që në aspektin teknik është, po flas paraprakisht nuk shohim që ka ndonjë problem, por megjithatë shqyrtimet do të japin rezultatet e veta në aspektin teknik të funksionimit të urës. Marrëveshja politike ekziston shumë herë dhe është dashur të hapet. Nuk ka ndonjë arsye të mos hapet, urat bashkojnë njerëzit”, thotë Aliu.

Aliu potencon se sipas dinamikës aktuale, në magjistralen Prishtinë-Podujevë pritet që në fund të këtij viti të ketë frekuentim të rregullt me katër korsi.

Aliu: Magjistralja Prishtinë-Podujevë pritet të finalizohet deri në fund të këtij viti

“Ne jemi duke bërë çmos që punët në magjistralen Prishtinë-Podujevë të ecin sipas dinamikës që është e paraparë dhe ashtu është duke ndodhur. Pra, brenda afatit një vjeçar, që mendojmë që në fundin e këtij viti do të kemi frekuentim të rregullt, me katër korsi të kësaj rruge“, potencon Aliu.

Për KosovaPress, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu thotë se punimet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë pritet të kryhen brenda këtij viti, porse nuk e premton të njëjtën për autostradën Prishtinë-Gjilan.

Aliu: Te punimet e rrugës në Gjilan ka vështirësi

“Te rruga në Mitrovicë ka një dinamikë të rregullt, edhe atje presim që gjithçka ta kryejmë brenda këtij viti. Sidomos pjesën që e kemi veç me katër korsi deri në Vushtrri, veçse e kemi pothuajse të përfunduar…Tek pjesa e Gjilanit kemi vështirësi. Ka pasur disa probleme me skarpatet, ka pasur shembje të ndryshme, që kanë detyruar të ndryshohet komplet projekti. Janë probleme të vazhdueshme që janë punë të kontraktuara më herët. Nuk mund të jap premtim tek rruga e Gjilanit, por jemi duke u munduar maksimalisht”, thekson Aliu.

Përveç këtyre, Aliu tregon se korridori ajror me Shqipërinë është në funksion, derisa shton se synimi tashmë është që të hapet edhe me Malin e Zi.

Aliu: Mbetet para vetes ta hapim korridorin ajror me Malin e Zi

“Korridori ajror me Shqipërinë është në funksion. Mbetet korridori ajror me Malin e Zi. Pra, hapja e korridorit ajror me Shqipërinë ka bërë që rrugët ajrore nga Evropa të jenë më të shkurtra, të mos ketë nevojë të shkohet deri në Maqedoni. Tash, na mbetet para vetes që ta hapim korridorin me Malin e Zi”, thotë Aliu.