Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – u kërkoi të dielën ndërmjetësve ta paraqesin një plan bazuar në bisedimet e kaluara, në vend të mbajtjes së bisedimeve të reja për një marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës.
Javën e kaluar, liderët e Shteteve të Bashkuara, Egjiptit dhe Katarit u bën thirrje Izraelit dhe Hamasit të takohen për bisedime më 15 gusht, qoftë në Katar apo Doha, për finalizimin e një marrëveshjeje për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve.
Izraeli ka thënë se do t’i dërgojë negociatorët e vet për të marrë pjesë në atë takim.
Hamasi tha fillimisht se po e shqyrtonte ofertën, por tani ka lënë të kuptohet se mund të mos marrë pjesë nëse bisedimet nuk bazohen në planin e presidentit amerikan, Joe Biden.
“Lëvizja u bën thirrje ndërmjetësve ta paraqesin një plan për zbatimin e asaj për të cilën është pajtuar lëvizja më 2 korrik 2024, bazuar në vizionin e Bidenit dhe në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në komunikatën e Hamasit.
“Ndërmjetësit duhet ta bëjnë okupatorin [Izraelin] ta zbatojë këtë, në vend se të kërkojnë runde të reja bisedimesh, apo propozime të reja të cilat do ta mbulonin agresionin e okupatorit dhe do t’i jepnin më shumë kohë për ta vazhduar gjenocidin kundër popullit tonë”, thuhet në komunikatë.
Presidenti Joe Biden e paraqiti një plan me tri faza për armëpushim në Gazë gjatë një fjalimi më 31 maj në Uashington. Prej atëherë, ndërmjetësit rajonalë kanë tentuar t’i ulin palët në tavolinë për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në këmbim të lirimit të pengjeve, por janë përballur me pengesa të vazhdueshme.
Kohëve të fundit është rritur edhe rreziku për një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme, pas vrasjes në Teheran të liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, si dhe komandantit të lartë ushtarak të Hezbollahut, Faud Shukr, në Bejrut.
Hamasi e ka akuzuar Izraelit për vrasjen e Haniyehut. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë, por as nuk e ka mohuar atë.
Irani dhe Hamasi janë zotuar se do të hakmerren kundër Izraelit për vrasjen e Haniyehut në Teheran.
Palestinezët bartin fotografi të Ismail Haniyeh (majtas), liderit politik të Hamasit, i cili u vra në Iran, gjatë një marshi për ta dënuar vrasjen e tij, në kampin e refugjatëve palestinezë në Burj al-Barajneh, Bejrut, 31 korrik 2024.
Izraeli thotë se synimi i tij është ta shkatërrojë Hamasin, pas sulmit të 7 tetorit, në të cilin militantët nga Gaza u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë 1.200 njerëz, si dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Pas një rundi këmbimesh në nëntor, Izraeli thotë se edhe 111 pengje po mbahen në Gazë, përfshirë trupat e pajetë të 39 pengjeve.
Lufta e Izraelit në Gazë prej atëherë i ka lënë të vdekur rreth 40.000 palestinezë dhe më shumë se 91.700 të tjerë të plagosur, sipas zyrtarëve shëndetësorë në enklavë.
Më shumë se 1.9 milion e popullsisë së përgjithshme prej 2.3 milionë banorësh e Gazës së paraluftës janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre, duke u zhvendosur vazhdimisht nëpër territorin e vogël për t’i ikur luftës./rel