Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Irani refuzon thirrjet evropiane për përmbajtje nga sulmet ndaj Izraelit

Ministria e Jashtme e Iranit tha se thirrjet për përmbajtje sa i përket një sulmi ndaj Izraelit, të bëra nga Franca, Gjermania dhe Britania “kanë mungesë të logjikës politike dhe janë në kundërshtim me parimet e ligjit ndërkombëtar”.

Tri shtetet evropiane një ditë më parë lëshuan një deklaratë të përbashkët përmes së cilës i bënë thirrje Iranit dhe aleatëve të tij të përmbahen nga sulmet kundër Izraelit, pas vrasjes së Ismail Haniyeh, shefit politik të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Teheran më 31 korrik.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Teherani dhe aleatët e tij, Hamasi, dhe grupi libanez Hezbollah – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – kanë fajësuar Izraelin për këtë vrasje. Qeveria izraelite nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e Haniyehut.

“Pa asnjë kundërshtim për krimet e regjimit zionist [Izraelit], deklarata e tri shteteve evropiane i kërkon paturpësisht Iranit të mos përgjigjet për shkeljen e sovranitetit të tij dhe integritetit të tij territorial”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Naser Kanaani.

Ai shtoi se Teherani është i vendosur që t’i kundërpërgjigjet Izraelit dhe u bëri thirrje tri shteteve evropiane “që të ngrihen kundër luftës në Gazë dhe nxitjes së luftës nga Izraeli”.

SHBA-ja një ditë më parë tha se Irani mund të kryejë sulme hakmarrëse ndaj Izraelit gjatë kësaj jave, përderisa presidenti amerikan, Joe Biden, ka biseduar me homologët e tij evropianë lidhur me situatën në Lindjen e Mesme.

Kërcënimet nga Irani se do të kryejë sulm ndaj Izraelit vijnë në kohën kur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit po vazhdon.

Lufta në Gazë u nxit nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, kur u vranë më shumë se 1.200 persona dhe u rrëmbyen 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë rreth 40.000 palestinezë./rel