Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

KQZ në pritje të datës së zgjedhjeve, Elezi tregon ndryshimet më të rëndësishme që duhet t’i dinë votuesit

 
   

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të vendimit të presidentes Osmani për datën e zgjedhjeve për të filluar përgatitjet. Mirëpo këtë vit, votimi do të bëhet me disa ndryshime,

Së pari, votuesit do të kenë të drejtë të zgjedhin deri në 10 kandidatë për deputetë të një subjekti politik, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara kur janë zgjedhur deri në 5 kandidatë.

Së dyti, në ditën e zgjedhjeve, në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike dhe jo ajo e kandidatëve.

Kjo, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, do t’ia mundësojë Komisionit që brenda një kohe të shkurtër t’i publikojë rezultatet preliminare.

Ai, në një intervistë  ka thënë se ndryshimet e lartcekura do t’i dallojnë zgjedhjet e radhës nga ato të kaluara.

“Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të caktimit të datës së zgjedhjeve. Vendimi i presidentes së Republikës së Kosovës e detyron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të filluar me përgatitjet intensive. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme është detyrë e KQZ-së që pas shpalljes së datës për mbajtjen e zgjedhjeve, të miratojë afatet dhe planin e aktiviteteve të zgjedhjeve”, ka thënë Elezi.

Elezi ka shpjeguar në detaje punën e institucionit pasi të shpallet data për mbajtjen e zgjedhjeve, siç është përcaktimi i afateve kohore për zhvillimin e periudhave zgjedhore, regjistrimi i subjekteve politike, kandidatëve, por edhe për votimin jashtë Kosovës.

“Vendosja e afateve dhe plani i aktiviteteve do të thotë përcaktim i saktë i kohës se kur fillon një aktivitet zgjedhor dhe koha se kur përfundon. Këto aktivitete përfshijnë: aplikimi i subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje dhe dorëzimi i listës së kandidatëve; verifikimi i përshtatshmërisë/aftësisë së kandidatëve; deklarimi i partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit; periudha e regjistrimit si votues jashtë Kosovës dhe votimi jashtë Kosovës; periudha për regjistrimin dhe Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta (VNPV); periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar; periudha për aplikimin dhe akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve dhe mediave; periudha emërimin e trupave zgjedhore (Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillat e Vendvotimeve) dhe trajnimin e tyre; certifikimi i Listës së Votuesve”, ka thënë Elezi.

Ai ka përmendur ndryshimet në numrin e kandidatëve, si dhe në numërimin e fletëvotimeve, si asto më të rëndësishmet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e të cilat do t’i dallojnë zgjedhjet e radhës nga ato të kaluara.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i miratuar nga Kuvendi i Kosovë në vitin 2023 ka bërë disa ndryshime të procesit të votimit edhe brenda vendit. Kur flasim për votimin brenda vendit, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të një subjekti politik, në zgjedhjet e kaluara votuesi ka pasur të drejtë të zgjedhë/votojë deri në 5 kandidatë për deputetë të një subjekti politik”.

“Përveç kësaj, Ligji i ri ka ndryshuar edhe aspektin e numërimit të fletëvotimeve. Në ditën e zgjedhjeve, në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike. Kjo ia mundëson KQZ-së që brenda një kohe të shpejtë të publikojë rezultatet preliminare për subjektet politike. Një ditë më pas, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në Qendra Komunale të Numërimit, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit, pra vota për kandidatët për deputetë”, ka thënë ai për EO.

Sipas KQZ-së, gjatë proceseve zgjedhore, në çdo komunë dhe kryesisht në palestra sportive, KQZ do të caktojë Qendrat Komunale të Numërimit.