20 persona dyshohet se janë helmuar në një furrë buke në fshatin Shkabaj të komunës së Prishtinës.
Për këtë rast ka njoftuar Policia në raportin 24 orësh, derisa ka thënë se furra është mbyllur.
Ndërsa, nga Inspektorati Sanitar i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë thënë për KosovaPress se tashmë mostrat dhe strishot janë marrë dhe se janë në pritje të rezultateve dhe se në bazë të këtyre të fundit do të veprohet.
“Me të marrë informatën për dyshim helmimi në këtë furrë inspektorët kanë dalë në terren së bashku me përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, janë marrë mostrat dhe strishot. Furra është mbyllë përkohësisht, është në Shkabaj. Njëherë ky është vetëm dyshim , derisa nuk dalin rezultatet dhe nuk konstatohet se a është pikërisht ajo për të cilën kanë deklaruar qytetarët që janë ushqyer aty, janë marrë mostrat e atyre ushqimeve dhe po presim rezultatet tash. Gjithçka varet prej rezultateve se si do të veprojmë, por do të veprohet në bazë të ligjit”, ka thënë Blerim Berisha, nga Inspektorati Sanitar.
Ndërsa, ka treguar se rezultatet do të dalin të hënën, eventualisht të martën.
“72 orë është afati ligjor, por tash nuk do të thotë që shtyhet se dje ka qenë pasdite, po unë besoj që të hënën”, eventualisht të martën i kemi rezultatet, është shprehur Berisha.
Ndërsa, në raportin e Policisë është bërë e ditur se në konsultim me prokurorin është inicuar rasti dhe në ditët në vijim do të intervistohen ankuesit.