Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me vrasjen që ndodhi mbrëmë në fshatin Bibaj të Ferizajt. Përveç një zyrtari policor, është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar për rastin, derisa Prokuroria Themelore ka bërë të ditur se ende nuk dihen motivet.
E gjithë ngjarja filloi në parkingun e një salle dasmash.
Banorët e rrugës “Engjell Zefi” të shtunën nuk pranuan të flasin para kamerës, por një kalimtar i tha televizionit se vetëm ka dëgjuar të shtënat dhe menjëherë ka vërejtur prezencën e shtuar të policisë në vendin e ngjarjes.
Televizioni ka marrë vesh përmes burimeve se hetuesit policorë kanë marrë filmimet nga këto kamera të sigurisë që ishin të vendosura në këtë shtëpi private por që pronari nuk pranoi të deklarohet para kamerës.
E për shkak të mosmenaxhimit të policëve, është suspenduar drejtori i ndërrimit në stacionin policor në Ferizaj.
“Në lidhje me rastin është njoftuar Prokuroria Themelore ne Ferizaj dhe Inspektorati Policor , për informata tjera ju informojmë me raport shtese. Po mund t’ju konfirmoj që kjo ka ndodhur. Është masë e cila është ndërmarrë nga Policia, është masë preventive nuk është masë se zyrtari ka marrë pjesë në rast. E kemi vlerësuar se i njëjti nuk ka monitoruar policët që ka pasur”, tha zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Ferizajt, Qazik Reka.
Si të dyshuar për rastin, Inspektorati Policor i Kosovës për këtë rast ka arrestuar edhe një person tjetër.
“Të dyshuarit të arrestuar, me vendim të prokurorit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit për bashkëkryerje të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet nga IPK.
Motivet sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj ende nuk dihen.
“Motivet lidhur me këtë rast penal ende nuk dihen dhe Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke punuar në mënyrë intensive për zbardhjen e rrethanave të kësaj çështje penale. Po ashtu, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj dy të dyshuarve do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente për shkak të dyshimit të veprave penale të lartcekura”, thuhet në njoftim.
Gjatë së shtunës, presidentja Vjosa Osmani i ka mohuar pretendimet se në këtë rast është e përfshirë ajo dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu.