Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

BE-ja do dialog për urën mbi Ibër: Çfarë ndodhi me “strategjinë” e Lajçakut dhe Escobarit?

 
   

Bashkimi Evropian (BE) ka thënë javën e kaluar se planifikon ta fusë në agjendën e dialogut çështjen e hapjes së urës mbi lumin Ibër, duke lënë nën hije çështjet bazike që kanë të bëjnë me normalizimin marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, pikërisht në kohën kur “strategji të reja” janë paralajmëruar se do të aplikohen në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd.

BE-ja u kërkon të gjitha palëve të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm. Nuk diskutojmë për skenarë të mundshëm. BE-ja planifikon ta vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut”, ka deklaruar një zëdhënës i BE-së javën e kaluar, përkundër se Qeveria e Kosovës ka insistuar se kjo çështje ka përfunduar në vitin 2016.

Gjithashtu, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë paralajmëruar së fundi për rrezikun sa i përket hapjes së urës kryesore në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve, që mund të ndikojë seriozisht në sigurinë e ushtarëve amerikanë në kuadër të Forcës së NATO-s (KFOR).

Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka theksuar ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, krahas thirrjes për pushtetin mos të ndërmarrë verpime drejt hapjes së urës në këtë moment për shkak të potencialit për përshkallëzim të situatës.

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë një vizite në SHBA në maj të këtij viti, duke folur rreth rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, përfshirë nevojën për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, paralajmëroi një “ofensivë të re” për të arritur qëllimin.

E për t’u përgatitur për “betejën e fundit” të dialogut, diplomati sllovak takoi Emisarin Special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ku “strategji të reja” u paralajmëruan se do të aplikohen në të ardhmen.

Diskutime të rëndësishme me Escobarin dhe Lajçakun. Ne koordinuam strategjitë për të çuar Kosovën dhe Serbinë përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. SHBA mbështet fuqishëm dialogun si rrugë drejt marrëdhënieve paqësore dhe produktive”, shkroi O’Brien në platformën “X” më 8 maj.

Megjithatë, mosgatishmëria e palëve për t’i ulur tensionet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe vazhdon të mbajë peng dialogun. Lajçak, i cili është dashur ta fillojë mandatin e ri si ambasador në Zvicër më 1 shtator të këtij viti, do të ndërmjetësojë dialogun deri në janar të vitit 2025.

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve, fillimisht më 27 shkurt 2023 në Bruksel të Belgjikës, pastaj për planin e sekuncimit më 18 mars 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, diplomatët evropianë dhe amerikanë akoma nuk kanë arritur t’i bindin palët ta zbatojnë të njëjtën, ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten.