Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Sërish subvencionohet izolimi i shtëpive, ja kur pritet të hapet thirrja

 
   

Mbi 1 mijë familje pritet të përfitojnë sërish këtë vit nga projekti “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, e cila do të lansohet të hënën sërish nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë bashkë me Zyrën e Bashkimit Evropian (BE). Ndërsa, për dallim nga thirrja e kaluar, kësaj radhe përfitues mund të jenë edhe qytetarët në komunat veriore të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, Fillojetë Konjuhi nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE). Derisa thotë se kusht kryesor për këtë thirrje është konsumimi i energjisë të cilin duhet të dëshmojnë përmes njësorëve në platformën e-Kosova.

Konjuhi derisa thotë se buxheti për këtë vit është pesë milion euro, shton se thirrja mund të mbyllet me mbushjen e buxhetit, e cila shton se edhe këtë herë vlen parimi që ai që aplikon i pari, merr shërbimin i pari.

Ndërsa kërkon nga qytetarët që përpara se të hapet aplikimi, të sigurohen që kanë letërnjoftimet valid të Republikës së Kosovës, kanë llogari të hapura në platformën e-Kosova dhe këto llogari kanë verifikimin e dytë.

“Përpara se të fillojnë deri të hënën kur hapet aplikimi, qytetarët duhet të sigurohen që kanë letërnjoftimet valid të Republikës së Kosovës, kanë llogari të hapura në platformën e-Kosova dhe këto llogari kanë verifikimin e dytë. Verifikimi i nivelit të dytë nënkupton që ata janë të verifikuar përmes ngarkimit të letërnjoftimit sipas kërkesave të e-Kosovës që i ka platforma. Buxheti për këtë vit është pesë milion euro dhe presim në bazë të përqindjes, shumës mesatare që kanë aplikuar vitin e kaluar, presim që diku rreth 1 mijë e 300 familje të jenë përfitues të kësaj thirrje dhe të kenë mundësi që të implementojnë masat e efiçiencës me subvencionimin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Ky buxhet është i cili ka tepruar nga buxheti i thirrjes së kaluar, që ka qenë i destinuar për thirrjen e kaluar dhe është buxhet i siguruar nga BE përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thotë Konjuhi.

Për dallim nga thirrja e kaluar, kësaj radhe mund të përfitojnë edhe qytetarët në komunat veriore të vendit, pasi siç thotë ajo, tanimë mund të dëshmojnë konsumin energjisë.

“Përderisa vitin e kaluar qytetarët në komunat veriore të Kosovës e kanë pasur të pamundur të aplikojnë si mungesë e njësorëve që kanë pas, sivjet ata kanë të drejtë të aplikojnë, sepse mund të dëshmojnë konsumin e energjisë. Tashmë ne kemi zyrën rajonale në Mitrovicën e Veriut, në të cilën gjithë qytetarët mund të shkojnë çdo ditë pune aty, dhe të marrin konsulta se si të aplikojnë, stafi jonë do t’i ndihmojë rreth procedurave dhe aplikimit”, shton Konjuhi.

Në fund, Konjuhi tregon se kur pritet të përfundojë thirrja.

“Thirrja mund të mbyllet me mbushjen e buxhetit dhe edhe këtë herë vlen parimi që ai që aplikon i pari e merr shërbimin i pari…04:46 Qytetarët mund të fillojnë kryerjen e punimeve vetëm pas marrjes së letrës së para-aprovimit, sepse në këtë formë aty i kanë të shkruara të gjitha kriteret se si duhet të vazhdojnë tutje dhe janë të obliguar që të kryejnë punimet deri më 31 dhjetor duke përfshirë edhe dërgimin e kërkesës për disbursim”, shprehet Konjuhi.

Ajo derisa ka dhënë më shumë detaje lidhur me projektin, thotë se kusht kryesor është konsumimi i energjisë të cilin duhet të dëshmojnë përmes njësorëve në platformën e-Kosova.

“Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë për herë të dytë hap thirrjen publike për subvencionimin e masave të efiçences së energjisë, 45 për qind të shumës së investimit apo 50 për qind për gratë, ose shtëpitë në bashkëpronësi të qiftit, por gjithmonë pa kaluar shumen maksimale të subvencionimit 5 mijë e 500 euro. Edhe këtë vit subvencionojmë izolimin e mureve të jashtme, izolimin e kulmit dhe ndërrimin e dyerve dhe dritareve të jashtme. Qytetarët mund të aplikojnë për të tria këto masa ose nëse kanë izolimin, mund të aplikojnë vetëm për kulmin ose për dritaret. Kusht kryesor është konsumimi i energjisë të cilin duhet të dëshmojnë përmes njësorëve në platformën e-Kosova, dhe është tejet e rëndësishme që të mos fillojnë aplikimin para se të marrin raportin e thjeshtëzuar të auditorit”, përfundon Konjuhi.

Konjuhi shton se lista e auditorëve të energjisë del në faqen zyrtare të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë bashkë me gjitha dokumentet tjera, dhe qytetarët duhet të thërrasin auditorin e energjisë të kryejnë raportin e thjeshtëzuar të auditimit dhe pastaj të fillojnë aplikimin në platformën e-Kosova./