Avokati, Xhevdet Smakiqi, e sheh si përballje të ish-krerëve të UÇK-së me kufizimet buxhetore që i ka bërë Qeveria Kurti, tërheqjen e avokatit Emmerson nga mbrojtja e Veselit si dhe tërheqjen e kryembrojtësit të Thaçit.
Smakiqi e vlerëson shumë të dëmshëm largimin e Emerson nga mbrojtja e Veselit sepse sipas tij kjo do të ndikojë në cilësinë e ekipit mbrojtës të tij.
“Ish-krerët e UÇK-së janë duke u përballur me kufizimet buxhetore që i ka bërë Ministria e Drejtësisë, respektivisht Qeveria Kurti dhe si rrjedhojë e kësaj përveq kryembrojtësit të z.Thaçi tashmë është tërhequr nga mbrojtja edhe Ben Emmerson dhe meqë nuk është për shkaqe shëndetësore atëhere kjo është kryekëput për shkaqe financiare e kjo do ta rrezikojë jashtëzakonisht shumë cilësinë dhe efektivitetin e ekipit mbrojtës sepse Ben Emmerson është që katër vite duke e mbrojtur z.Veseli dhe kjo është një dëm shumë i madh që i është bërë mbrojtjes së tij”, ka thënë ai.
I pyetur se a mund ta ketë të njëjtin vullnet për mbrojtjen e Veselit një avokat i ri, Smakiqi tha se nuk është çështje vullneti aq shumë sa është çështje e kuptimit të aktakuzës, dëshmitarëve dhe provave vendimtarë që janë me mijëra.
“Nuk është cështje vullneti është cështje e kuptimit të aktakuzës dhe e kuptimit të dëshmitarëve vendimtarë, provave vendimtare dhe meqenëse kemi të bëjmë më qindra mijëra prova edhe nga mbrojtja edhe nga zyra e Prokurorit Special dhe kemi të bëjmë me kategori të ndryshme të dëshmitarëve pastaj edhe të personave që paraqiten si viktima në procedurën gjyqësore kjo praktikisht ndikon shumë sepse kryeavokati i ri e ka shumë më të vështirë”, tha avokati.