Ish-kryetari i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, Valon Murati, ka folur në emisionin Rubikon mbi qëndrimet e LKÇK-së në vitin 1999 lidhur me marrëveshjen e Rambujesë.
Murati tha se në atë kohë, kjo lëvizje vlerësonte se dokumenti ishte i dëmshëm për Kosovën, prandaj nuk duhej nënshkruar.
“Realisht, nëse merr dhe lexon dokumentin, është i keq, pra po të implementohej ai dokument, Kosova do mbetej pjesë e atij çka mund të jetë shtet Jugosllav, dhe nga ajo analizë që ne ia bënim dhe nga informatat që kishim ishte një marrëveshje e dëmshme. Unë në atë kohë kur u ktheva në Llap, mora edhe pozita, isha edhe pjesë e komandës, shef i sektorit për moral dhe politikë, më vonë më zgjodhën kryetar të LKÇK-së, në janar të vitit 1999. Ishte hera e parë që dikush zgjedhej kryetar i LKÇK-së dhe ishte publik. Familjen e kisha në Prishtinë, i kisha 24 vjet… Agim Kuleta, Istref Klinaku dy nënkryetarë, ne u bëmë figurat e para publike dhe realisht në atë dokumentin ku ne dalim kundër Rambujesë, është nënshkrimi im. Ne besonim në atë kohë se duhet të vazhdojmë luftën, të mobilizohemi, etj”, tha Murati.
Ndër të tjera, ai thotë se nga pozicioni i sotëm, nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë nga pala kosovare e sheh si të pashmangshëm, ndërsa tha se kjo marrëveshje duket të ketë qenë një lloj kurthi për Serbinë.
“Ndoshta edhe duke mos qenë pjesë e atij procesi, nuk e kemi pasur parasysh të gjithë dimensionin e asaj çka po zhvillohej, sepse nëse ne e shohim sot këtë marrëveshje, nëse e shohim edhe pjesën e aneksit të sigurisë, duket se ka qenë një kurth për Millosheviqin dhe Serbinë për të mos e pranu, sidomos pjesa ushtarake, sepse pjesën politike ata e pranuan, ndonëse erdhën me një draft skandaloz për Serbinë, pjesa ushtarake ishte problematike, që të futej NATO, të kishte qasje në kazerma etj, dhe ky ishte fundi i sovranitetit për Serbinë. Nëse e analizojmë, duket se ka qenë një lloj kurthi për të mos e pranuar, kështu që në këtë kontekst mendoj që delegacioni ynë përkundër qëndrimeve që i kam pasur në atë kohë, nuk ka pasur rrugë tjetër edhe për shkak se gjendja në terren ka qenë e vështirë dhe ka qenë problematike zhvillimi i luftës nëse ne do izoloheshim”, tha Ish-kryetari i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, Valon Murati.