Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nga liberalizimi, 10 mijë qytetarë serbë morën pasaporta të Kosovës

 
   

Mbi 10 mijë qytetarë serbë janë pajisur me pasaporta të Kosovës që nga 1 janari i këtij viti. Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj, tha se beson se shkaku kryesor për rritjen e “interesimit” është liberalizimi i vizave për Kosovën.

Kërkesa ka pasur edhe për konvertimin e targave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës, me ç’rast atyre u ishte mundësuar ta bëjnë pa pagesë. Gjatë kësaj periudhe “amnistie” 4248 automjete që kanë pronarë serbë janë konvertuar në RKS.

“Procesi i targave ka shkuar mirë. Siç e dini ai proces ka përfunduar. Rreth 4248 automjete janë konvertuar me targa të Republikës së Kosovës dhe ai proces është i mbyllur dhe si rezultat i kësaj, ka qenë e domosdoshme që të pajisen qytetarët serbë me patentë shoferë të Republikës së Kosovës që ka qenë një veprim i duhur”, ka thënë Camaj.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) pat njoftuar se të gjithë personat që kanë automjete me targa ilegale, do të kenë mundësinë të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri më 31 dhjetor 2023. Më pas ky afat u zgjat edhe dy herë.

Sipas vendimit të Qeverisë, qytetarët kanë mundur të konvertojnë targat e përdorura para luftës (PR, KM, PZ, GL, UR PE, DA apo ĐA) në Qendrat për Regjistrim të Automjeteve.

Krahas kësaj, qytetarët serbë kanë mundur të konvertojnë me lehtësira në pagesë edhe patentë-shoferët ilegalë.

Ndërkohë interesimi më i nadh ka qenë për pasaporta RKS. Sipas Camajt, nga 1 janari 2024 më shumë se 10 mijë qytetarë serbë kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaporta të Republikës së Kosovës.

“Qytetarët serbë duhet ta kuptojnë se ata që jetojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës duhet të pajisen me dokumente, duke filluar nga letërnjoftimi, pasaporta e kështu më radhë. Në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës që janë me shumicë serbe, janë dikund 105 mijë qytetarë serbë që kanë letërnjoftim të Republikës së Kosovës. Vlen të theksohet se nga liberalizimi i vizave, nga 1 janari deri më tani, 10 428 qytetarë serbë kanë marrë pasaportë të Republikës së Kosovës. Kështu që pas liberalizimit të vizave është shfaqur edhe interesimi i qytetarëve serbë për t’u pajisur me pasaportë”, ka thënë Camaj.

Ndërsa, ka theksuar se nuk kanë mungesë të materialeve dhe veçse kanë hapur konkurs për plotësimin e stafit.

Camaj ka thënë se nga janari e deri në gjysmë të gushtit, në total mbi 318 mijë qytetarë të Republikës kanë bërë kërkesë për t’u pajisur me pasaporta.

“Tani nuk kemi probleme, kemi material të mjaftueshëm për të gjitha dokumentet dhe qëndrojmë shumë mirë dhe procedurat jemi brenda afateve ligjore, përkundër kërkesave që kanë qenë në rritje gjatë kohës sa ishte diaspora. Nga 1 janari deri më sot, janë mbi 318 mijë qytetarë që kanë bërë kërkesë për t’u pajisur me pasaportë. Është e vërtetë që kemi pasur mungesë të stafit për shkak të daljes në pension apo çështjeve të ndryshme, tani jemi në procedura të rekrutimit, i kemi shpallë disa konkurse nëpër komuna që janë më me prioritet dhe jemi në vazhdimësi duke bërë kërkesë sa i përket shpalljes së konkurseve dhe t’i plotësojmë vendet e tjera me zyrtarë”, u shpreh ai.