Së paku 35 njerëz kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar si pasojë e dy aksidenteve të ndara me autobusë të dielën në Pakistan, thanë zyrtarët.
Aksidenti i parë ndodhi kur një autobus, i cili po barte pelegrinë shiitë rrugës për në Iran nga Iraku, ra nga një autostradë në një luginë në veriperëndim të Pakistanit, duke i lënë të vdekur 12 njerëz dhe të lënduar 32 të tjerë, thanë policia dhe zyrtarët.
Shoferi e humbi kontrollin e timonit pasi nuk i punuan frenat kur po kalonte nëpër provincën Baluçistan, tha shefi i policisë Qazi Sabir.
Disa orë më vonë, 23 njerëz humbën jetën kur autobusi me të cilin po udhëtonin ra në një luginë në rrethinën Kahuta në lindje të provincës Punjab, thanë policia dhe zyrtarët. Në mesin e viktimave janë dy gra dhe një fëmijë. Së paku shtatë të tjerë u lënduan.
Autobusi ishte duke shkuar në rajonin e Kashmirit të administruar nga Pakistani, kur ra nga një urë në një luginë në Kahuta.
Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zaradari, dhe kryeministri Shehbaz Sharifi, në komunikata të ndara shprehën ngushëllime për viktimat dhe dhimbjen e tyre për dy aksidentet. Ata u kërkuan autoriteteve të sigurohen se pelegrinët e lënduar do të marrin tretmanin më të mirë mjekësor.
Mijëra myslimanë shiitë e vizitojnë qytetin e shenjtë të Irakut, Karbala, për ta kujtuar Arabeen – numrin 40 në gjuhën arabe – që shënon vdekjen e nipit të Profetit Muhamed, Hussein, i cili u bë simbol i qëndresës gjatë shekullit të parë të trazuar të historisë së islamit.
Aksidentet me autobus janë të zakonshme në Pakistan, kryesisht për shkak të neglizhencës së shoferëve të cilët shpesh i shkelin rregullat e trafikut./rel