Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Prindërit në kërkim të teksteve: MASHTI po vonohet me pagesa

 
   

Procesi i rimbursimit të mjeteve për tekstet shkollore nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, duket që po shkon ngadalë, pasi prindërit kanë aplikuar por ende nuk i kanë marrë paratë si subvencion. Në këtë situatë ata po blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre, me shpresë se ministria do t’i ekzekutojë pagesat e parapara.

Procesi i shitjes së teksteve shkollore nisi më 23 gusht, edhe pse nëpër disa librari mungonin një numër më i madh i teksteve. Ndërkohë, sot duket që libraritë janë më të furnizuara, por sipas prindërve, çmimi i teksteve, krahasuar me vitin e kaluar, është më i lartë.

E për prindërit mënyra më e mirë vazhdon të jetë shpërndarja e teksteve nëpër shkollë, pasi subvencionimi dhe blerja e teksteve nga prindërit është jashtëzakonisht e mundimshme për ata.

Menaxheri i librarisë “Altera”, në Fushë Kosovë, Elez Morina, ka thënë për KosovaPress, se kjo librari është e furnizuar 98 për qind me tekste shkollore.

Morina është ndarë i kënaqur me interesimin e prindërve për ta vizituar këtë librari.

Morina: Jemi të furnizuar rreth 98 për qind me tekste shkollore

“Interesimi i prindërve është shumë i madh, janë të kënaqur në krahasim me vitin e kaluar…Ankesat janë shumë të vogla, me çmime nuk ka ankesa, siç po i shihni sot është ditë e diel, ditë pushimi, fluksi është i njëjtë me dy ditë paraprake… Jemi të furnizuar rreth 98 për qind me tekste shkollore, me tekstet e shtëpisë botuese dukagjini jemi të furnizuar 100 për qind. Librat që kanë qenë në mungesë sot i kemi të gjitha, janë edhe disa shtëpi botuese që i kanë nga një apo dy tekste shkollore që pritet nga e hëna të furnizohemi me të gjitha tekstet shkollore”, ka thënë Morina.

Ndërsa, përgjegjësja e “Dukagjini Center”, për shitjen e librave shkollore, Klarita Demiri, ka thënë se kanë shpërndarë në të gjitha libraritë e Kosovës botimet e shtëpisë botuese “Dukagjini”, dhe se kanë sasi të mjaftueshme.

Demiri: Janë shpërndarë në të gjitha libraritë nëpër Kosovë botimet Dukagjini

Është mëngjes dhe siç po shihet ka interesim për blerje të librave… Libraria Dukagjini ka shpërndarë në të gjitha libraritë nëpër Kosovë botimet dukagjini…1:38 Kemi sasi të mjaftueshme”, ka shtuar ajo.

Kurse, disa prindër treguan se çmimi i teksteve shkollore, krahasuar me vitin e kaluar është më i lartë.

Njëri nga prindërit, Valon Gjikolli është shprehur se subvencioni nga Qeveria për një familje që ka tre fëmijë nuk dalin si mjete financiare.

Sipas tij, diferenca e shtrenjtimit dallon mbi 100 euro më shumë.

E këtë herë, Gjikolli ka paguar nga xhepi i tij, pasi që ende nuk i kanë dalë në llogarinë e tij mjetet financiare.

Gjikolli: Të gjithë këtë blerje i bëra me buxhet personal

“Është jashtëzakonisht e mundimshme për prindërit, forma më e mirë e mundshme ka qenë deri para dy vitesh që tekstet të shpërndahen nëpër shkolla, kjo ka qenë shumë më e lehtë për prindërit dhe ka qenë më pak e kushtueshme, sepse me këtë mbulesë financiare, do të thotë as përafërsisht nuk mbulohen të gjitha tekstet, për ata që kanë dy apo tre fëmijë. Mendoj se diferenca mund të jetë mbi 100 euro… Mua nuk më kanë dalë ende, të gjithë këtë blerje që e bëra sot e bëra me buxhet personal, me idenë që ato do të dalin ndërkohë, por nga kjo që e paguaja aktualisht, ishte diku mbi 100 e pak euro diferenca, shto faktin që nuk ishin edhe të gjitha tekstet”, është shprehur Gjikolli.

Gent Lepaja ka thënë çmimi krahasuar me vitin e kaluar është pak më i partë, megjithatë, ai nuk ka ankesa për mënyrën e re të rimbursimit me mjetet shkollore.

Lepaja: Nuk po shoh ndonjë problem

“Përveç një libri që është i një shtëpisë botuese tjetër, të gjitha tjerat i kemi kompletuar.. Nuk po shoh ndonjë problem, po zgjedhim ndonjë librari që është më pak e ngarkuar, po gjejmë edhe sende të tjera që janë të nevojshme, kështu që nuk po shoh ndonjë problem në këtë proces…  Prej vitit të kaluar ndoshta pak është një rritje por jo diçka shumë”, ka vijuar ai.

Sipas njohësit të arsimit, Rinor Qehaja, cilido format i shpërndarjes së teksteve shkollore është i pranueshëm përderisa teksti shkollorë është i çastshëm për nxënësin më 1 shtator.

Qehaja: Teksti shkollorë duhet të jetë i çastshëm për nxënësin më 1 shtator

Cilido format i shpërndarjes së teksteve për neve është i pranueshëm, përderisa teksti shkollorë është i çastshëm për nxënësin menjëherë më 1 shtator. Gjithherë na është prezantuar ministria në faj, mirëpo shpeshherë në faj kanë qenë drejtoritë komunale të arsimit, të cilat për shkak të neglizhencës, mos menaxhimit të mirëfilltë pa dyshim që pastaj na kanë shkaktuar vonesa sikurse ato që i kemi pa ndër vite”, ka thënë Qehaja.

Ministria e Arsimit ka njoftuar se deri më 20 gusht në platformën e-Kosova kanë aplikuar gjithsej 151.080 prindër.

Sipas njoftimit janë ekzekutuar 81.355 pagesat e para dhe po vazhdohet edhe me transfere tjera.

Përndryshe, për secilin nga nxënësit filloristë nga klasa 1 deri në klasën e 5, në total do të ndahen nga 80 euro, ndërsa për nxënësit e arsimit në nivelin e mesëm të ulët nga klasa 6 deri në klasën e 9, do të ndahen nga 110 euro.

Viti shkollor 24/25 do të fillojë më 2 shtator.