Izraeli dhe Hezbollahu i Libanit filluan të dielën shkëmbimin e tyre më të rëndë të zjarrit pas disa muajsh sulmesh dhe kundërsulmesh, duke rritur frikën për një luftë të gjithanshme që mund të tërheqë Shtetet e Bashkuara, Iranin dhe grupet militante në të gjithë rajonin.
Nga mesi i mëngjesit, u duk se shkëmbimi i zjarrit kishte përfunduar, me të dyja palët që thanë se kishin synuar vetëm objektiva ushtarakë.
E menjëherë pas këtyre sulmeve, kryeministri në detyrë i Libanit Najib Mikati thirri një takim urgjent të ministrave në rezidencën e tij.
Pas takimit, ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Tregtisë në Liban Amin Salam tha se ai beson se situata po shkonte drejt një de-përshkallëzimi.
“Të dyja palët kanë njoftuar se sulmet nga të dyja drejtimet kanë përfunduar me sukses, siç thuhet në raportet e ushtrisë nga të dyja palë. Kjo do të thotë se ato kanë përfunduar. Po ashtu bisedimet në Kajro po vazhdojnë sot dhe do të vazhdojnë edhe nesër. Besoj se po shkojmë drejt një de-përshkallëzimi në konfliktin ushtarak”, tha ai.
Megjithatë, Nasser Yassin, ministri në detyrë i Mjedisit, tha se qeveria është gjithashtu e përgatitur për një përshkallëzim të mundshëm.
“Çfarë do të ndryshojë? Ne kemi përgatitur skenarë për të simuluar të gjitha situatat e mundshme, duke përfshirë zgjerimin e sulmeve. Tani për tani, numri i njerëzve të zhvendosur nuk është rritur, dhe sulmet që ndodhën në agim ishin në lugina dhe male. Por sigurisht, nëse sukmet zgjerohen ne jemi të gatshmëm të aktivizohemi, u shpreh ai.
Autoritetet libaneze thanë se sulmet izraelite vranë tre persona, ndërsa nuk pati raportime për viktima nga pala izraelite.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha gjatë ditës se veprimi i Izraelit kundër lëvizjes Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban “nuk është fundi i historisë”.
Ndërkohë, SHBA-ja dhe ndërmjetësuesit e tjerë e shohin një armëpushim në Gaza si çelësin për të shmangur një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Hezbollahu ka thënë se do të ndalojë sulmet ndaj Izraelit nëse ka një armëpushim në Gaza./Tëvë1/