Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pse Forcat të Armatosura të Gjermanisë kanë rritur prezencën në Kosovë në vitin 2024?

 
   

Në një artikull të publikuar së fundi në faqen zyrtare të Forcave të Armatosura të Gjermanisë (Bundeswehr) rreth vendimit të qeverisë gjermane për të shtuar numrin e ushtarëve në Kosovë, janë dhënë disa arsye pse prania ndërkombëtare në kuadër të Forcës së NATO-s (KFOR) është ende e nevojshme, pavarësisht prosperitetit të ndërtuar ndër vite në Kosovë.

Aktualisht, në mesin e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare janë rreth 400 ushtarë gjermanë.Disa ditë më parë, një kontigjent shtesë prej 200 ushtarësh zbarkuan në vend, në sfondin e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Një ekip redaktorësh nga Bundeswehr qëndroi në vend për të parë nga afër operacionet rutinore të ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it.

“Kushdo që arrin në Kosovë vështirë se mund ta besojë se ajo është një zonë e operacioneve të Bundeswehrit. Një aeroport modern, autostrada sikurse në Gjermani dhe qendra të ndryshme tregtare janë disa prej gjërave të para që të bien në sy”, shkruan Bundeswehr në artikullin që mban titullin: “Pse Bundeswehr ka rritur prezencën në Kosovë në vitin 2024?”.

“Kosova është zhvilluar me shpejtësi në dekadat e fundit. Por rritja e prosperitetit maskon faktin se një konflikt është duke u zier atje, i cili kërkon praninë e një force mbrojtëse ndërkombëtare”, kujton mes tjerash ushtria gjermane, ndërsa përmend edhe kontrabandën e armëve.

“Përgjatë kufirit Kosovë-Serbi ka gjithmonë kalime ilegale ose kontrabandë armësh”.

Bundeswehr është prezent në Kosovë që nga 12 qershori 1999. Megjithatë, në përgjigje të trazirave të vitit të kaluar dhe situatës së paqëndrueshme në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, aleatët e NATO-s shtuan numrin e ushtarëve në vend. E ushtria gjermane vlerëson se Kosova dalëngadalë do ta marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj kombëtare.

“Ata [ushtarët gjermanë] janë të impresionuar nga Kosova – sa larg ka arritur vendi në dekadat e fundit. Njerëzit jetojnë kryesisht në paqe dhe siguri, kjo është arsyeja pse KFOR-i jep një kontribut të rëndësishëm. Gjithashtu, institucionet shtetërore janë në rrugën e duhur. Kosova, dalëngadalë, do të marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj”, shkruan tutje Bundeswehr.

Artikulli përshkruan se si në pjesën më të madhe të vendit, grupi etnik shqiptar përbën shumicën e popullsisë, por ka ende enklava të shumta të pakicës serbe.

“Me flamuj të panumërt nëpër rrugët e fshatrave të tyre, ata tregojnë qartë simpatinë dhe lidhjen e tyre me shtetin serb. Shumë shqiptarë të Kosovës e shohin këtë si një provokim, në fund të fundit, mijëra prej tyre dhe familjet e tyre u dëbuan apo edhe u vranë gjatë Luftës së Kosovës nga shteti paraardhës i Jugosllavisë, i dominuar nga serbët. Shkurt: Edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës, tensionet etnike në Kosovë nuk janë asgjë tjetër veçse situata tejkaluese”.

Në parim, misioni i ushtarëve gjermanë në Kosovë është i pakufizuar, që do të thotë se nuk ka afate kohore. Megjithatë, në vitin 2020, ekzekutivi gjerman garantoi se do ta adresojë në Parlamentin e Gjermanisë pjesëmarrjen e Bundeswehr në misionin paqeruajtës të NATO-s, përkatësisht çdo 12 muaj.