Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Siguria në burgje, forcohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri

 
   

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës(SHKK), Ismail Dibrani ka pritur sot në takim drejtorin e burgjeve të Shqipërisë Klevis Qose, këshilltarin Global të ICITAP-it për Kundërterrorizëm, Bill Sage, dhe Këshilltarin Rajonal për Njësitë e Inteligjencës Korrektuese, Frank Karam.

Forcimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë së burgjeve, ishte temë diskutimi.

“Gjatë këtij takimi, u diskutuan çështjet e sigurisë në institucionet korrektuese të të dyja vendeve, duke ndarë përvojat dhe praktikat më të mira në menaxhimin e burgjeve”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Derisa, mbështetja e ICITAP-it u vlerësua lartë nga të dyja institucionet.

“Mbështetja e ICITAP-it u vlerësua lart nga të dyja institucionet, veçanërisht për themelimin e Njësisë së Inteligjencës Korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Kjo njësi ka arritur të rrisë ndjeshëm nivelin e sigurisë, duke u bërë një histori suksesi dhe një model i mirë për të gjithë rajonin”, thuhet më tutje në njoftim.

Në kuadër të kësaj mbështetjeje janë identifikuar pajisje të nevojshme që do të sigurohen për SHKK-në, si: skanerë, kamera detektuese të telefonave, si dhe shumë pajisje të tjera të sigurisë, të cilat do të vijnë në Kosovë gjatë muajit tetor.

Më tutje thuhet se ICITAP-i dhe INL-i mbeten partnerët kryesorë të SHKK-së në zhvillim dhe reformë, derisa përkrahja e tyre është jetike dhe vendimtare për Shërbimin Korrektues të Kosovës.