Kryeministri Albin Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë tha se Zyra e tij në pak ditë priti disa zyrtarë të nivelit të lartë, ndërsa paralajmëroi se do të vijnë edhe mysafirë të ri.
“Nesër për vizitë vjen Thomas Gofus, ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s dhe sot vjen delegacioni danez i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”, tha Kurti.
Ai tha gjithashtu se javën e ardhshme në Kosovë do të vijnë dy ministra të Jashtëm nga vende anëtare të NATO-,s por pa e zbuluar se nga cilat vende.
“Ndërkaq, javën e ardhshme do të mirëpresim dy ministra të jashtëm të dy vendeve anëtare të NATO-s”, tha Kurti.
Ai përmendi se në zyrën e tij shkoi për vizitë shefi i CIA’s, si dhe një admiral i KFOR-it. Kurti tha se në këto takime ka folur edhe për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve.
“Pas vizitës në SHBA, në harkun kohor të pak ditëve, mysafirë i kemi patur në Kryeministri shefin e CIA’s, Ëilliam Burns dhe admiralin Stuart Munsch, i cili është komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli. Mbështetja e tyre është e palëkundur, bashkëpunimi i gjerë dhe i fuqishëm kurse përkushtimi i përbashkët është serioz dhe produktiv në shërbim të paqes dhe sigurisë, të cilat ecin paralelisht në sundimin e rendit dhe ligjit dhe progresit demokratik dhe ekonomik”.
“Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër, për të cilat jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme dhe punët tona të shtëpisë. Si për shembull trajtimin e draftit preliminar të qëndrueshmërisë fizike të urës teksa presim raportin final e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes e liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Kosovë ashtu edhe në BE”.