Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi sot së bashku me deputetët Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami kanë takuar përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
Sipas Gashit, ky takim kishte për qëllim diskutimin e çështjeve të rëndësishme që prekin sektorin e arsimit në vend.
“Një problem shqetësues mbetet kontrata kolektive, e cila duhet të nënshkruhet sa më shpejt ndërmjet qeverisë dhe sindikatave, si dhe ligji për pensionet, ku vazhdon diskriminimi i punëtorëve të Republikës së Kosovës gjatë viteve ’90, me një fokus të veçantë në diskriminimin e mësimdhënësve të asaj periudhe”, thuhet në postimin e Gashit në Facebook.
Tutje, Gashi tha se ky vit shkollor do të fillojë siç ishte parashikuar më 2 shtator.
“Lajmi i mirë nga ky takim është se viti shkollor do të fillojë siç ishte parashikuar më 2 Shtator. Megjithatë, problemi i menaxhimit të sistemit arsimor nga qeveria vazhdon të jetë një sfidë e madhe që kërkon vëmendje dhe veprim të shpejtë”, ka thënë Gashi.
Ndryshe, ai bëri të ditur se Grupi Parlamentar i LDK-së mbetet i angazhuar për të mbështetur përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së arsimit.
“Grupi Parlamentar i LDK-së mbetet i angazhuar për të mbështetur përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe për të adresuar problemet që ndikojnë në sistemin arsimor. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me SBASHK-un dhe aktorët e tjerë relevantë për të siguruar që nevojat e mësuesve dhe nxënësve të përmbushen dhe që arsimi në Kosovë të përparojë në mënyrë të qëndrueshme’, shtoi ai.