Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve – vdes një viktimë pjesëmarrëse, kishte dhe statusin e dëshmitarit

 
   

Këtë vit ka vdekur një viktimë pjesëmarrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Numri i viktimave pjesëmarrëse tani është 153.

Kjo është bërë e ditur nga ana e mbrojtjes së viktimave dhe sipas njoftimit, kjo viktimë ishte pranuar për të marrë pjesë në këto procedura me 21 prill 2021 e po ashtu ajo e kishte edhe statusin e dëshmitarit.

“Viktima 02/06 u pranua për të marrë pjesë në procedura si viktimë më 21 prill 2021 si rezultat i vuajtjes së dëmtimit fizik dhe mendor nga paraburgimi i tij. Viktima 02/06 gjithashtu kishte statusin e një dëshmitari në këtë rast nën pseudonimin [REDAKTUAR]”, thuhet në njoftimin e avokatit të viktimave.

Se viktima pjesëmarrëse kishte vdekur, avokati i viktimave ishte njoftuar në qershor.

“Më 15 qershor 2024, avokati i viktimave u informua nga [REDAKTUAR] se viktima 02/06 kishte ndërruar jetë. ZPS-ja konfirmoi për avokatin e viktimave se viktima 02/06 vdiq më [REDAKTUAR]. Historia e vonesës në marrjen e kësaj informate nga avokati i viktimave është shpjeguar në [REDAKTUAR]”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se mbrojtësi i viktimave ka tentuar të konstatojë nëse ekziston ndonjë i afërm i viktimës që mund të aplikojë për të marrë pjesë në këtë proces, por që ndonjë aplikim i tillë nuk ishte bërë.

“Që kur ka marrë këtë informacion, avokati i viktimave ka tentuar të konstatojë nëse ekziston ndonjë i afërm i ngushtë i V02/06 i cili mund të dëshirojë të aplikojë për të marrë pjesë si viktimë si pasardhës i tij. Deri më sot, nuk është planifikuar ndonjë aplikim i tillë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi