Alfred Beleri, ish-kryetari i Himarës, është liruar me kusht nga burgu të hënën, njoftoi avokati i tij.
Beleri u lirua pasi një gjykatë në Fier, ku ai po e vuante dënimin me dy vjet burgim për blerje votash, e pranoi kërkesën e tij për lirim të parakohshëm, tha avokati i tij Alfred Beleri
Beleri, 51 vjeç, ishte arrestuar dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023 në Himarë, një qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë.
Ai u akuzua dhe u dënua për ofrimin e 360 eurove për t’i blerë tetë vota.
Rasti Beleri i ka tensionuar marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Beleri dhe Athina kanë pretenduar se dënimi i tij ishte i motivuar politikisht. Zyrtarët në Shqipëri e kanë mohuar këtë.
Beleri, i cili ka shtetësi shqiptare dhe greke, fitoi ulëse në Parlamentin Evropian si përfaqësues i partisë udhëheqëse në Greqi, Demokracia e Re, në zgjedhjet e qershorit. Atij i dha leje gjykata e Fierit të shkojë për të marrë pjesë në seancën hapëse të Parlamentit Evropian (PE) në Strasburg në korrik.
Pas lirimit të hënën, Beleri e falënderoi kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, që e futi atë në listën e partisë së tij për zgjedhjet në PE, duke thënë se kjo “e ndryshoi rrjedhën e historisë”.
Në një komunikatë, Beleri tha se pas 16 muajve paraburgim i vazhdueshëm, “tani jam i lirë dhe krenar, por natyrisht se i palumtur, sepse sundimi i ligjit dhe demokracia në Shqipëri nuk janë rivendosur”.
Beleri tha se do të ankohet për rastin e tij në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut “për të gjitha dëmet që m’i ka bërë regjimi shqiptar”.
“Por tani, duke ushtruar detyrën e eurodeputetit grek, do të përqendrohem në çështjet e pakicës greke në Shqipëri, të cilën do të vazhdojmë ta mbështesim”, tha ai.
Beleri pretendon se rasti kundër tij ishte tentim i Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama për ta marrë nën kontroll Himarën dhe potencialin e saj të madh për të ardhmen.
Pasi Beleri u dënua dhe u burgos, Himara mbajti zgjedhje të reja për kryetar në fillim të gushtit. Vangjel Tavo nga Partia Socialiste u zgjodh kryetar i ri.
Tags: Alfred BeleriTirana